2008-06-14 18:18:04

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Lutja e Engjëllit të Tënzot, kohë e Hyjit e kohë e njeriut".


(14. 06.2008 RV)I mbështetur mbi sfurk, Gjoni fshin ballin me mëngë për të qindtën herë gjatë kësaj paraditeje. Në këtë ditë gushti të vitit 1570 dielli lëshon nga qielli rreze të zjarrta. Nën diellin, që përvëlon, puna në ara është gjithnjë më e vështirë. Burrat e gratë e ngadalësojnë ritmin, në pritje të pushimit, për të ngrënë drekën nën hijen e ndonjë peme.
Por papritmas, Gjoni e lëshon sfurkun përdhe: sapo ka dëgjuar jehonën e këmbanave të kishës së fshatit, që bien tri herë, për t’u kujtuar të gjithëve se është ora e lutjes së Engjëllit të Tënzot. Për ditë këmbanat i ftojnë të gjithë njerëzit ta lenë për një çast çdo veprimtari, për t’u lutur e për ta lëshuar punën e tyre në dorë të Zotit.
Gjoni e Tereza, e motra, janë shumë të devoçëm. Qerrja do shumë për t’u ngarkuar, por, punë e madhe.... do të vijojnë punën më vonë... Sapo dëgjohen këmbanat, të dy gjunjëzohen në mes të arës. Gjithë fusha zhytet në një heshtje të thellë. Të duket sikur vetë jeta ndalet për një çast.. Ndër shtëpi, në udhë, në ara, në kuvende, burra e gra e fëmijë luten në heshtje.
“Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mëri”, fillojnë të luten, “e u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt”. Të falemi Mari, hirëplote...”.
Këmbanat bien përsëri tri herë.
“Qe shërbëtorja e Tënzot”, vijojnë fshatarët. “U bëftë mbi mua si është fjala e Tënzot”. Të falemi Mëri...”.
Tri tingëllima të tjera këmbane.
“E Fjala e Tënzot u bë njeri. E erdh e ndej ndër ne”. Të falemi Mëri... Lutu për ne, o e Shenjtnueshmja Nëna e Tënzot; që të bëhemi të denjë për premtime të Jezu Krishtit”.Për të treguar se Engjëlli i Tënzot ka përfunduar, këmbanat e fshatit bien shtruar. Për Gjonin e të motrën, është koha të gjejnë një hije e të hanë drekën. Është hera e dytë gjatë ditës që bien këmbanat. U kujtojnë njerëzve se është ora për t’u lutur. Kanë rënë edhe në agim, për ta nisur ditën me lutje; e do të bien për herë të fundit në muzg, para se gjithçka të zhytet në errësirën paqëtore të natës. Çdo herë që këmbana tingëllon për të lajmëruar Engjëllin e Tënzot, Gjoni e Tereza ndërpresin punën, bien në gjunjë e thonë tri Falemi Mari. Duke bërë kështu, vijojnë një traditë që filloi në vitin 1456. Që nga ky vit, ditët maten me tri lutjet e Engjëllit të Tënzot. Me këtë lutje të thjeshtë, njerëzit ia besojnë ditën dhe punën Hyjit. Duke iu përgjigjur thirrjes, së bashku me Virgjërën Mari, bashkojnë shpirt e zemër me Zotin, dashuria e të cilit i jep kuptim gjithë jetës së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.