Figura e Shëna Ndout, rregulltar françeskan e doktor i Kishës
(13.6.2008 RV)Shëna Ndou lindi në Lisbonë të Portugalisë më 15 gusht të
vitit 1195 ndërsa vdiq më 13 qershor të vitit 1231 në Padovë të Italisë. Pas një
jete intensive asketike që kaloi pranë Kanonikëve të rregulltë Augustinianë të Koimbrasë,
kaloi ndër Fretërit e Vegjël të shën Françeskut të Asizit, me të cilët rifilloi jetën
rregulltare në Porciunkola të Asizit (1221). Predikatar i shquar i Ungjillit të
Krishtit, shëna Ndou e ushtroi detyrën e tij meshtarake e rregulltare në italinë veriore
e në francën jugore. Predikimet e tija të njohura në mbrojtje të të vërtetave të doktrinës
së krishterë, sidomos mësimet e tija kundër gabimeve heretike të Albigjezve, janë
ruajtur në shkrimet homelitike. Shëna Ndou nderohet nga populli i krishterë i gjithë
botës si dhe nga besimtarët e feve tjera si bamirës i njerëzimit e posaçërisht i të
varfërve, sikur dëshmojnë shtegtimet e shumta të popullit në Kisha e në Shenjtërore
që bartin emrin e shëna Ndout, ndër të cilat po kujtojmë shenjtëroret shqitpare: atë
të Laçit në Shqipëri dhe të Gjakovës në Kosovë, si dhe Kishat tjera famullitare në
Tiranë, në Prishtinë, Zllokuqan, Binçë e vende tjera. Siç e përmendem, shëna Ndou
vdiq më 13 qershor 1231 në Padovë në moshën 36 vjeçare. Ishte ditë e premte. U varros
më 17 qershor 1231 në Padovë, ishte ditë e MARTE. Nga kjo u nisë devocioni tradicional
i “13 të martëve në nder e lavd të shëna Ndout”. Relike e shëna Ndout ruhen në
bazilikën madhështore me të njëjtin emër në Padovë, e cila është vend i shtegtimeve
të vazhdueshme të besimtarëve nga të gjitha viset e botës. Vetëm nji vit pas vdekjes
së shëna Ndout, në vitin 1232 Papa Gregori i IX-të e shpalli shenjt, ndërsa më 1946
Papa Piu XII e shpalli doktor të Kishës. Kjo në pika të shkurta është biografia e
shëna Ndout, lulës më të mirë të Portugalisë, i cili e mbushi botën me shenjtërinë
e vet.