2008-06-12 17:15:12

Presidenti amerikan Bush do të takohet nesër me Papen Benediktin XVI sipas një protokolli familjar


(12.06.2008 RV)Presidenti amerikan Xhorxh Bush ndodhet që mbrëmë në Romë, ku sot u takua me presidentin italian, Xhorxho Napolitano dhe me kryeministrin Silvio Berluskoni. Nesër, Bush do të pritet në Vatikan nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI, siç iu kemi njoftuar, me një protokoll të veçantë, në stil familjar.
Ashtu si Bush doli për ta pritur vetë Benediktin XVI gjatë vizitës së tij në SHBA, siç nuk ka bërë kurrë për asnjë kryetar shteti, edhe Papa, në orën 11.00, do ta presë në hyrjen e Kullës së Shën Gjonit në Kopshtet e Vatikanit e jo, sipas praktikës së përhershme, në apartamentin papnor. Papa dhe presidenti do të ngjiten në studion e katit të sipërm për një takim privat, ndërsa zonja Laura Bush dhe ambasadorja amerikane, Meri En Glendon do të qëndrojnë me kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Në përfundim të bisedës, Ati i Shenjtë dhe presidenti Bush do të bëjnë një shëtitje të shkurtër në Kopshtet e Vatikanit, deri tek fugurja e Zojës së Rojes, ku do të priten nga kori i Kapelës Sikstine, i cili do të ekzekutojë për ta dy motete, kompozime muzikore vokale kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.