2008-06-12 17:17:09

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Jeronimi i Loaisës dhe bashkëjetesa ndërmjet kundërshtarëve".


(12.06.2008 RV)RealAudioMP3 Që kur Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën, Bota e Re vijon të tronditet nga luftërat e revoltat. Nga njëra anë vendasit luftojnë për të drejtat e tyre, nga ana tjetër pushtuesit mbrojnë interesat dhe pasuritë e fituara pa shumë mundim. Çdo përpjekje për të vendosur harmoninë ndërmjet dy popujve, duket krejtësisht e pamundur. Por gjindet një njeri, që ia del mbanësh ta vendosë: quhet Jeronimi i Loaisës, ipeshkëv i Limës, në Peru.
Në vitin 1544 perandori Karli V, që e qeveris Botën e Re nga Evropa, vendos t’i konfiskojë pasuritë e pushtuesve e t’ua rikthejë vendasve. Jeronimi e di mirë se një vendim i tillë do të shkaktojë jo vetëm pakënaqësi të madhe, por edhe konflikte të ashpra. Ipeshkvi mendon se paqja mund të sigurohet vetëm në se pushtuesit japin, me vullnet të lirë, së paku një pjesë të pasurive, që ua kanë rrëmbyer vendasve. Paqja ndërmjet indiosve e pushtuesve duhet rivendosur me dashuri të krishterë. Ide e bukur kjo, por e vështirë për t’u realizuar. A do ta pranojnë spanjollët? Nuk është aspak e lehtë të bisedosh me pushtuesit. Ngjarjet e jetuara i kanë bërë shpesh edhe më të ashpër, se ishin kur arritën në Botën e Re: nuk kanë frikë nga stuhitë, nga sëmundjet, vuajtjet, luftërat e, madje, as nga vetë vdekja. I kanë përballuar tepër shpesh, që kur u larguan nga Spanja, prandaj u duken normale, të pashmangshme. I tmerron vetëm një gjë: skëterra. Këta burra të ashpër, i frikëson vetëm ideja se mund të vdesin pa u rrëfyer për herë të fundit tek një meshtar, që ka pushtet t’ua zgjidhë mëkatet, duke i shpëtuar nga flakët e ferrit.
Jeronimi i Loaisës shfrytëzon pikërisht këtë frikë, për të siguruar ngadhënjimin e dashurisë së krishterë.Ipeshkvi shpall ‘Udhëzimet për rrëfyesit’, përmes të cilave i ndalon meshtarët t’i zgjidhin mëkatet pushtuesve, të cilët nuk e kanë vënë në vend dëmin që i kanë shkaktuar indiosve. Pasojat e këtij teksti ndjehen shumë shpejt. Në mbarë Amerikën pushtuesit nisin t’ua kthejnë vendasve pasuritë e grabitura. Për shembull, ushtari i thjeshtë Diego Pizarro de Olmos u kthen vendasve gjashtëqind pezos për dëmet e shkaktuara gjatë luftës. Duke pasur parasysh pagën vjetore të indiosve, pesëmbëdhjetë pezos, shuma është mjaft e madhe. Gomez Solís u kthen dy mijë e pesëqind e dhjetë pezos indiosve, që punojnë në pronat e tij. E për më tepër, shton edhe dy dema, njëqind lopë e një mijë dele.
Fryma e dashurisë së krishterë përhapet me shpejtësi në të gjithë Kontinentin jugamerikan. E kështu, edhe paqja. Falë veprimtarisë së Jeronimit të Loaisës, u bë e mundur të realizohej ajo që dukej - e që shpesh duket edhe tani - e pamundur: bashkëjetesa paqësore ndërmjet kundërshtarëve të papajtueshëm: spanjollëve e indiosve.







All the contents on this site are copyrighted ©.