2008-06-11 18:07:57

Evropa mund të rilindet prej rrënjëve të krishtera: kështu tha Papa gjatë audiencës së përgjithshme kushtuar Shën Kolumbanit, abatit irlandez që luftoi kundër korrupsionit të të pushtetshmëve.


(11.06.2008 RV)RealAudioMP3 Evropa mund të rilindë nga rrënjët e krishtera: kështu tha Papa në audiencën e përgjithshme, që sot ia kushtoi Shën Kolumbanit, abatit irlandez, i cili luftoi kundër korrupsionit të njerëzve me pushtet.
Një shenjt evropian, që dallohet për mënyrën e jetesës, së karakterizuar nga lutja, studimi, pastërtia morale, deri në atë pikë, sa pati probleme me hjerarkinë kishtare dhe politike. Është irlandezi më i njohur i Mesjetës, për të cilin Papa tha:
“Sëbashku me irlandezët e kohës së tij, ishte i vetëdijshëm për unitetin kulturor të Evropës”.
Çdo energji të tij e shpenzoi për të ushqyer rrënjët e krishtera të Evropës që po lindte, vazhdoi Papa, duke e kujtuar shën Kolumbanin si njeri me kulturë të madhe, të pasur me hire, ndërtues i palodhur murgaresh. Themelimi i tre prej tyre i takon fazës së parë të veprimtarisë së tij misionare, kur sëbashku me sivëllezër të tjerë largohet nga ishulli i tij i lindjes dhe lëviz në vende të ndryshme të Evropës perëndimore. Më pas arrijnë vështirësitë me disa ipeshkvij, të cilët i kishte kritikuar për mënyrën e sjelljes e më vonë, armiqësia e hapur e mbretit Teodorik, të cilit i kishte vënë në dukje marrëdhëniet jashtëmartesore që mbante prej kohësh. Benedikti XVI shpjegoi gjatë audiencës në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan, se kjo rreptësi e kjo pastërti morale nuk ishin qëllime në vetvete, por ishin pjesë e dëshmisë së shenjtit, i cili ungjillëzoi sërish zona të tëra, ku paganizmi kishte minuar krishterimin:
“Mesazhi i Shën Kolumbanit përqëndrohet në thirrjen e fuqishme për t’u kthyer tek Zoti e për t’u shkëputur nga të mirat e kësaj bote, duke pasur parasysh trashëgiminë e amshuar. Me jetën e tij asketike dhe me sjelljen pa kompromis para korrupsionit të të fuqishmëve, ai evokon figurën e rreptë të shën Gjon Pagëzuesit. Rreptësia e tij gjithsesi, nuk është qëllim në vetvete, por vetëm mjeti për t’ia hapur zemrën lirisht dashurisë së Zotit dhe për t’iu përgjigjur me krejt qenien dhuratave të marra prej Tij”.
Papa citoi fjalët e Shën Kolumbanit, kur thotë se nëse njeriu do t’i përdorte si duhet dhuratat që Zoti i ka dhënë, atëherë shpirti i tij do të ishte i ngjashëm me Hyjin. Duke folur për kulturën e gjerë të shenjtit, Benedikti XVI kujtoi se në një letër të tij gjendet për herë të parë shprehja “totius Europae”, që i referohet pranisë së Kishës në kontinent. Nga mësimet e shenjtit, kujtoi “Regola monachorum”, që përshkruan murgun ideal e më pas, një lloj “kodi penal për shkeljet e rregullave nga ana e murgjërve”, që sipas Papës, mund të kuptohet vetëm me mentalitetin e asaj kohe, por do të dukej i çuditshëm sot. Pastaj, tregimi i periudhës kur shën Kolumbani dhe sivëllezërit e tij u dënuan me internim dhe u përzunë nga tokat e mbretit Teodorik. U nisën me një anije, që takoi cektinë vetëm pak larg portit. Kapiteni pa këtu një shenjë të qiellit dhe nga frika se mos dënohej nga Zoti, i ktheu murgjërit në tokë, prej nga ata vazhduan veprën e ungjillëzimit në zona të tjera të Evropës. E në fund, Ati i Shenjtë kujtoi se duke ndërtuar murgare nëpër Evropë, shën Kolumbani bashkoi idealisht kontinentin, ndërsa vepra e tij e ungjillëzimit është me të vërtetë një gur kilometrik në rrugën e konsolidimit të rrënjëve të krishtera të tij:
“Me energjinë e tij shpirtërore, me fenë, me dashurinë për Zotin e për të afërmin shën Kolumbani u bë vërtet një nga etërit e Evropës, që na tregon edhe sot se ku janë rrënjët nga të cilat mund të rilindë kjo Evropa jonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.