2008-06-11 16:30:24

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Gjoni i Zotit, rruga e një fëmije të humbur".


(11.06.2008 RV)Gjon Çiudadi është një fëmijë portugez. Sapo i ka mbushur tetë vjetët, kur një i panjohur, një i çmendur, të cilin prindërit e tij e strehuan për një natë, e rrëmben dhe e merr me vete në Spanjë. Por pas pak, e braktis në mes të rrugës, sepse nuk di ç’të bëjë me këtë ‘barrë’ që ia ngarkoi kot më kot vetvetes. Gjoni mbetet vetëm. Tmerrohet. Nuk e di ç’ të bëjë, për t’u kthyer përsëri në gjirin e prindërve. Nis të punojë si bari tek një pronar i pasur. I lë bagëtitë, për të hyrë në ushtri. Pastaj flak armën e rikthehet te grigja, për të hyrë përsëri në ushtri. E, më pas, lë armë e grigjë e nis të shesë figure shenjtorësh. Shtegton shumë e shkon deri në Afrikë. Me pak fjalë, kalon një rini të shqetë, prej vagabondi. Nuk e di kurrë as ku do të shkojë, as ç’do të bëjë të nesërmen. Jeta e tij mbyllet brenda një dite.
Kalon një jetë të tillë endacake deri në vitin 1537. Tashmë ka mbushur dyzet vjet e megjithatë vijon të jetë njeri thellësisht i shqetësuar. Më 20 janar të këtij viti ndodhet në Granadë të Spanjës, ku dëgjon duke predikuar të famshmin Gjonin e Avilës, që të bind plotësisht, kur flet për Hyjin. Gjoni Çiudad s’ia ndan sytë predikatarit e, papritmas, ndjen një tronditje të thellë në shpirt: takohet me Zotin.
Që nga ky çast nis të flasë për kthimin me një zjarr të tillë, sa njerëzit besojnë se është çmendur. E çojnë menjëherë në çmendinë, e mbyllin aty e kërkojnë njoftime për të, duke zbuluar, kështu, të kaluarën e tij të stuhishme: ku burrë është i marrë për t’u lidhur!
Por Gjoni i Avilës ndërhyn personalisht për ta liruar. Predikatari është i bindur se nuk ka të bëjë me një të çmendur, por me një njeri që kërkon prej kohe rrugën e vet e që tani, me ndihmë të Zotit, është duke e gjetur.
Në të vërtetë Gjon Çiudadi sapo ka nisur ta kuptojë cila është rruga e tij e vërtetë. Ditët që kaloi në çmendinë nuk ishin të kota. Asokohe spitalet qenë paradhoma skëterre: të ndyra, të drejtuara në mënyrë çnjerëzore nga infermierë të paaftë. Shkurt, vende nga të cilat njeriu dilte më i sëmurë, se ç’kish hyrë, në mos po, i vdekur... Gjoni Çiudad nuk e harron këtë e, sapo lirohet, merr emrin Gjoni i Zotit dhe themelon një kongregatë rregulltare. Ndërton një numër të madh spitalesh moderne dhe kontrollon nga afër cilësinë e mjekimeve, që i bëhen të sëmurëve, të cilët trajtohen me të gjitha përkujdesjet, si të ishin njerëz të famshëm, në sa izolohen njëri nga tjetri, për të shmangur rrezikun e infektimit.Në vitin 1550, kur Gjoni i Zotit vdes, suksesi i shtëpive të mjekimit, themeluar prej tij, është aq i madh, sa Kisha e shpall Pajtor të spitaleve.







All the contents on this site are copyrighted ©.