2008-06-10 17:45:06

Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë për kardinal Kazarolin: “ishte negociator i pajisur me aftësi të mëdha ndërmjetësimi”.


(10.06.2008 RV)U zhvillua sot në Romë kuvendi për të përkujtuar dhjetë vjetorin e vdekjes së kardinalit Agostino Kazaroli, protagonistit të Ostpolitikës, e cila e shoqëroi Kishën e Lindjes gjatë gjithë viteve të Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet me Vatikanin.
Një diplomat i jashtëzakonshëm, i impenjuar në arritjen e paqes e në sigurimin e kushteve që Kisha të zhvillonte misionin e saj në liri: kështu foli sot në kuvend, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. Kujtojmë se kardinali Kazaroli ka qenë edhe ai në krye të Sekretarisë së Shtetit nga viti 1975 deri në vitin 1990, por periudha e zbatimit të Ostpolitikës së Vatikanit është edhe më e shtrirë, pasi ka filluar që nga viti 1963 për të përfunduar me rënien e Murit të Berlinit, më 1989.
Kardinal Bertone përshkroi krejt veprimtarinë diplomatike të kardinal Kazarolit, duke kujtuar se në fazën e parë të Ostpolitikës, gjendja e Kishës në vendet komuniste ishte e tmerrshme. Ipeshkvijtë e meshtarët arrestoheshin, mbylleshin seminare, konfiskoheshin pasuritë e Kishës e zhvillohej një propagandë kapilare ateiste, duke diskriminuar katolikët në çdo fushë të shoqërisë. Gjithashtu, të gjitha vendet e Lindjes i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë. Ishte Papa Gjoni XXIII ai që i hapi rrugën dialogut, mes mijëra vështirësive, pasi Atin e Shenjtë nuk e lejuan të kryente shtegtimin e tij apostolik në Poloni. Është pikërisht në këtë situatë që kardinal Kazaroli tregon aftësitë e tij diplomatike:
“Agostino Kazaroli – tha sot kardinal Bertone – ishte negociator i Vatikanit i pajisur me aftësi të mëdha ndërmjetësimi; njeri i dialogut, person në gjendje të lidhte kontakte, dëgjues i durueshëm, në kërkim të palodhur të marrëveshjeve të mundshme”.
Kujtojmë se kardinal Kazaroli ishte edhe protagonist i padiskutueshëm i Konferencës së Helsinkit e më pas shoqëroi Papën Gjon Pali II në takimin me Gorbaçovin e në të gjitha veprimet deri në rënien e Murit të Berlinit.







All the contents on this site are copyrighted ©.