2008-06-10 17:44:51

Bush dhe BE zgjedhin grushtin e hekurt kundër Iranit. Protokoll jo i zakonshëm për takimin me Papën


(10.06.2008 RV)Filloi sot në Slloveni mbledhja e nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe SHBA, në plan të parë të shtypit ndërkombëtar, kryesisht për praninë e presidentit amerikan Xhorxh Bush.
Të premten më 13 qershor, Bush do të vijë për vizitë në Vatikan dhe do të takohet me Papën Benedikti XVI. Protokoll i veçantë i është rezervuar atij nga Ati i Shenjtë, në stil familjar, për t’i kthyer presidentit amerikan mikpritjen e treguar në udhëtimin e Papës në SHBA. Ashtu si Bush doli për ta pritur vetë Benediktin XVI, siç nuk ka bërë kurrë për asnjë kryetar shteti, edhe Papa, në orën 11.00, do ta presë në hyrjen e Kullës së Shën Gjonit në Kopshtet e Vatikanit e jo, sipas praktikës së përhershme, në apartamentin papnor.
Presidenti Bush do të shoqërohet nga bashkëshortja, Laura Bush dhe nga ambasadorja amerikane pranë Selisë së Shenjtë, Mari En Glendon. Papa dhe presidenti do të ngjiten në studion e katit të sipërm për një takim privat, ndërsa zonja Laura dhe ambasadorja do të qëndrojnë me kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Në përfundim të bisedës, Ati i Shenjtë dhe presidenti Bush do të bëjnë një shëtitje të shkurtër në Kopshtet e Vatikanit, deri tek fugurja e Zojës së Rojes, ku do të priten nga kori i Kapelës Sikstine, i cili do të ekzekutojë për ta dy motete, kompozime muzikore vokale kishtare.
Ajo e së premtes do të jetë vizita e dytë e Xhorxh Bushit tek Papa në Vatikan. Herën e parë, Papa e priti më 9 qershor 2007. Më pas ishte Papa që shkoi në Amerikë, ku Bush, me një gjest pa precedent, doli për ta pritur në aeroportin e Uashingtonit. Tepër i përzemërt ishte edhe festimi i ditëlindjes së Atit të Shenjtë, më 16 prill në Shtëpinë e Bardhë.
Por të kthehemi tek mbledhja e sotme ndërmjet krerëve evropianë dhe presidentit amerikan Bush. Temat në qendër të takimit, që u mbajt në kështjellën e Brdos, pranë Ljubljanës, ishin ndryshimi i klimës, çështja kubane, por sidomos programi bërthamor iranian. Bush bëri thirrje për një ashpërsim të ri të sanksioneve të OKB-së kundër Republikës Islamike. Kohët e fundit janë shtuar zërat që flasin për një ndërhyrje ushtarake të SHBA-ve në Iran, para përfundimit të mandatit të presidentit Bush. “Të përforcojmë partneritetit trasnatllantik për të promovuar demokracinë, për të luftuar terrorizmin, për të parandaluar përhapjen e tij, për të përballuar ndryshimet globale dhe tregun botëror me efikasitet”: këto ishin fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa fliste edhe për Lindjen e Mesme, gjendjen në Liban, në Kosovë e në Afganistan.
Po sot, Bush u nis për në Berlin, për të shkuar më pas në Romë, Paris, Londër dhe Belfast. Një vizitë në mes të kështjellave e fortesave, siç vihet në dukje nga shtypi. Nga Kështjella e Brdos në Ljubljanë, ndërtuar në vitin 1510 nga një fisnik i Habsburgëve, në Kështjellën e Mesebergut në Berlin, më pas në Kullën mesjetare të Shën Gjonit në Vatikan e në fortesën e Malit Valerien në Francë, përdorur nga nazistët si burg, ku gjetën vdekjen 4500 vetë.
Në Britaninë e Madhe, kështjella më e famshme e botës, ajo e Uindsorëve, ndërtuar nga Gulielm Konkuistatori në shekullin XI e në Belfast, ku Bush do të takohet me çmimin Nobel irlandez Peter Robinson në Kështjellën Stormont, rezidenca zyrtare e kryeministrit dhe e parlamentit të Irlandës së Veriut, ndërtuar më 1830.







All the contents on this site are copyrighted ©.