2008-06-10 15:16:14

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës:" Diskutimi i madh i Valadolidit: detyra e ndërhyrjes humanitare".


(10.06.2008 RV)Babagjyshi nuk ishte njeri dosido! Kishte pushtuar Meksikën, së bashku me Kortezin. Në vitin 1519… Izabelës i pëlqenin shumë rrëfimet e tij.
Mjaftonte t’i drejtoje një pyetje magjike:
“Babagjysh, e si e pushtove Meksikën vetëm me gjashtëqind burra, përballë miliona indiosve?”.
E gjyshi e shfrytëzonte menjëherë rastin, për të nisur rrëfimin pa fund:
“Para se të arrinim ne, jeta e indiosve ishte një skëterrë e vërtetë… Prandaj edhe na pritën me krahë hapur…”.
“Skëterrë?”.
“Në Meksikë majàtë e aztekët flijonin njerëz, sidomos të rinj e fëmijë, për t’i marrë me të mirë zotat. Shfrytëzohej çdo rast... Për shembull, kur nuk binte shi, flijonin një fëmijë, të cilit ia shkulnin zemrën nga kraharori i shqyer. Ishte e tmerrshme! Mijëra fëmijë rriteshin të mbyllur në vathë, dhjameshin si bagëtitë e pastaj thereshin. E natyrisht edhe haheshin gjatë gostive …”.
“Për fat, arritët ju, e…”.
Izabela nuk e kuptonte se pse kjo shprehje e shqetësonte tejet gjyshin. Kur e dëgjonte, niste të kollitej, ngurronte paksa, e pastaj rifillonte rrëfimin me zë të dridhur:
“Të them të drejtën, disa nga ne nuk u sollën si të krishterë të vërtetë. E prandaj në vitin 1550 perandori Karli V vendosi ta ndalonte vijimin e pushtimeve e të organizonte një kuvend të madh, për të diskutuar – siç u shpreh ai vetë – si duhej vijuar shtrirja në trojet e Botës së Re, në mënyrë që kjo shtrirje të realizohej pa shkelur me këmbë mbi drejtësinë. Diskutimi u bë në Valadolid dhe zgjati dy muaj. Morën pjesë katërmbëdhjetë gjykatës të zgjedhur ndërmjet personaliteteve më në zë të vendit. Detyra e tyre ishte të zgjidhnin njërin nga dy propozimet krejtësisht të kundërta: nga njëra anë, propozimin e Bartolomeut de Las Cazas, domenikanit që kërkonte t’i jepej fund pushtimeve; e nga ana tjetër, atë të Gjinés de Sepulvedës, teolog i njohur, i cili shprehte mendimin se ishte detyrë morale të ndihmoheshin indiosit, që ishin në rrezik vdekjeje”.
“E kush fitoi, më në fund?!”.
“Gjinés de Sepulveda. Gjykatësit vendosën që Spanja t’i përgjigjej thirrjeve të popullit meksikan për ndihmë. Kështu Karli V dha lejën të vijonin pushtimet, duke vendosur, njëkohësisht, të dënoheshin rreptë ata që ushtronin dhunën...”.
Ishte hera e parë në historinë e njerëzimit që u shtrua qartë për zgjidhje problemi i ndërhyrjes humanitare, dmth i detyrimit për ta ndihmuar një popull, që sulmohet padrejtësisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.