2008-06-09 17:58:00

Feja e vërtetë është në dashurinë e Zotit dhe të të afërmit: kështu tha Benedikti XVI në Lutjen e Engjëllit të Tënzot.


(09.06.2008 RV)RealAudioMP3 Është dashuria e Zotit, ajo që i jep vlerë kultit dhe zbatimit të urdhërimeve: ky është reflektimi që bëri Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan. Duke komentuar thirrjen e tagrambledhësit Mateu, Ati i Shenjtë kujtoi se Jezu Krishti nuk erdhi për të drejtët, por për mëkatarët. Liturgjia e djeshme e fjalët e profetit Ozea, sipas të cilit Zoti nuk kërkon flijime, por që njerëzit ta njohin e ta duan, i shërbyen Atit të Shenjtë për të nënvizuar se cili është thelbi i mesazhit të krishterë, përçuar nga Jezu Krishti në takimin me Mateun:
“Duke e thirrur pikërisht ndërsa ishte ulur në tryezën e mbledhjes së taksave – në një skenë të ilustruar më së miri nga një pikturë e famshme e Karavaxhos – Jezusi shkoi në shtëpinë e tij sëbashku me dishepujt dhe u ul të hajë me publikanë të tjerë. Farisejve të shkandulluar iu përgjigj: “Nuk janë të shëndoshët që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët… Nuk kam ardhur për të thirrur të drejtët, por mëkatarët”.
Jezusi, vazhdoi Papa, përsërit shprehjen e profetit Ozea për pushimin e së shtunës, duke u dhënë të kuptojë të tjerëve se ishte Zoti i së njëjtës traditë të Shkrimeve të Shenjta. Duke iu drejtuar farisejve thotë: “Nëse e keni kuptuar se ç’do të thotë: Mëshirë dua e jo flijë, nuk do të kishit dënuar persona pa faj”.
“Pra, në këtë paralajmërim të Ozesë, Jezusi, Fjala e bërë njeri, si të thuash, gjeti vetveten plotësisht; i bëri të vetat fjalët e tij me gjithë zemër dhe i realizoi me sjelljen e tij, duke prekur madje ndjeshmërinë e krerëve të popullit të vet. Kjo fjalë e Zotit ka ardhur tek ne, përmes Ungjijve, si një përmbledhje e krejt mesazhit të krishterë: feja e vërtetë është në dashurinë e Zotit dhe të të afërmit. Ja çfarë i jep vlerë kultit dhe zbatimit të urdhërimeve”.
Benedikti XVI iu lut Shën Marisë Virgjër që të ngjallë ndër njerëz dëshirën për ta lënë veten krejtësisht në duart e Zotit, që është mëshirë pa fund. E i këshilloi besimtarët ta bëjnë të tyren një lutje, që Shën Agustini e përshkruan në Rrëfimet e tij:
“Ki mëshirë për mua o Zot! Ja, unë nuk i fsheh plagët: ti je mjeku, unë i sëmuri; ti je i mëshirshëm, unë i mjerë… Çdo shpresë e imja varet nga mëshira jote e madhe”.
Duke iu lutur Zotit që të na ruajë nga vdekja e papritur, Ati i Shenjtë përshëndeti shtegtarët polakë dhe u lut veçanërisht për minatorët, që të mërkurën e kaluar humbën jetën në një minierë në Poloni.







All the contents on this site are copyrighted ©.