Dëshmojeni Zotin me vepra e jo me fjalë, u tha Papa diplomatëve të ardhshëm të Vatikanit,
të cilët i priti në audiencë
(09.06.2008 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë bashkësinë
e Akademisë Papnore kishtare, diplomatët e ardhshëm të Selisë së Shenjtë. Dëshmoni
Zotin me vepra e jo me fjalë, me mënyrën e jetesës edhe në ambientet larg fesë, u
tha atyre Papa. Meshtarët, rreth tridhjetë vetë, u pritën në Sallën e Papëve në
Vatikan. Janë ata që do të mbushin në të ardhmen radhët e Trupit Dipllomatik të Selisë
së Shenjtë, në Nunciatura ose në Sekretarinë e Shtetit. Shërbimi i tyre, nënvizoi
Benedikti XVI, kërkon aftësi, që nuk mund të improvizohen: “Në punën tuaj të
përditshme do të viheni në kontakt me realitete kishtare që duhen kuptuar e mbështetur;
do të jetoni shpesh larg tokës suaj të origjinës, në vende që do të mësoni t’i njihni
e t’i doni; do t’ju duhet t’i afroheni botës së diplomacisë dypalëshe e shumëpalëshe,
të jeni të gatshëm të ofroni jo vetëm përvojën tuaj diplomatike, por edhe, e mbi të
gjitha, dëshminë tuaj meshtarake”. Por as kjo nuk mjafton – nënvizoi Ati i
Shenjtë. Nuk mjafton të jeni të përgatitur nga pikpamja juridike, teologjike e diplomatike.
Ajo që ka më tepër rëndësi është të mishëroni në jetën e veprimtarinë tuaj dashurinë
besnike për Krishtin: “Çdo lloj pune që të bëni në Kishë, shqetësohuni të jeni
gjithnjë miqtë e tij të vërtetë, miq besnikë që e kanë takuar dhe kanë mësuar ta duan
mbi çdo gjë tjetër”. Vetëm bashkimi me Jezu Krishtin mund të sigurojë “qetësinë
e paqen edhe në momentet më të ndërlikuara e më të vështira”, theksoi Papa: “I
zhytur në vorbullën e aktivitetit frenetik, njerëzimi rrezikon shpesh ta humbë kuptimin
e ekzistencës, ndërsa një lloj kulture bashkëkohore ngjall dyshime për çdo vlerë absolute,
madje edhe për mundësinë e njohjes së të vërtetës dhe të së mirës”. Prandaj,
i këshilloi Benedikti XVI diplomatët e ardhshëm të Vatikanit, më tepër se sa me fjalë,
shpalleni Ungjillin me mënyrën e jetesës, edhe në ambiente shpesh larg përvojës së
krishterë: “Shpallni të Vërtetën që është Krishti. Lutja, meditimi, dëgjimi
i Fjalës së Zotit të jenë për ju buka e përditshme”.