2008-06-07 16:54:48

U paraqit programi i ‘Vitit Paolin’: do të hapet nga Benedikti XVI më 28 qershor, natën e festës së Shën Palit.


(06.06.2008 RV)RealAudioMP3 Zjejnë përgatitjet në Bazilikën e Shën Palit, në pritje të Papës, i cili do të shkojë atje më 28 qershor, ditë e hapjes së Vitit Paolin, për kujtim të dymijëvjetorit të lindjes së Apostullit të Popujve. Programi për këtë festë të madhe u paraqit në një konferencë shtypi, mbajtur në Radion e Vatikanit, në praninë e kardinalit Andrea Kordero Lanca di Montexemolo, kryeprift i Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës dhe të imzot Liberio Andreatës, zëvendës-kryetar i Veprës romake të shtegtimeve.
Për Kishën universale do të jetë një ngjarje e madhe, me frymë të thellë ekumenike, - theksoi, në fjalën e rastit, kardinali Andrea Kordero Lanca di Montexemolo:
“Një vit kushtuar Shën Palit, siç e ka shpjeguar edhe Papa, me dy qëllime kryesore: ta njohim më mirë e ta bëjmë më të njohur Shën Palin, gjithë pasurinë e mësimeve të tij, ndonëse nganjëherë kjo mund të duket e vështirë, hermetike e pak e njohur – dhe t’i japim një ngjyrim ekumenik, duke u lutur e duke vepruar për ekumenizmin, dmth për bashkimin. Shpesojmë, prandaj, se nga ky Vit Paolin, do të përfitojë mbarë krishtërimi”.
E, ndërmjet njerëzve që ungjillëzoi Apostulli i Popujve, janë edhe banorët e lashtë të trojeve të sotme shqiptare, prandaj katedralja e Tiranës, iu kushtua pikërisht Shën Palit e prandaj edhe kryetari i Konferencës ipeshkvnore katolike shqiptare, imzot Rrok Mirdita, gjatë audiencës me Papën në përfundim të vizitës ‘ad Limina’ të prelatëve të vendit, ndërmjet të tjerash, kujtoi pikërisht vlerat e këtij Viti Paolin:
“(…) ju falënderojmë Shenjtëri, për nismën Tuaj lidhur me Vitin kushtuar Shën Palit Apostull. Në Letrën drejtuar Romakëve, Apostulli i madh i popujve tregon se ka folur për Krishtin deri në kufijtë e Ilirisë (15, 19), dmth, deri në trojet e Shqipërisë së sotme. Prandaj Shën Pali lidhet në mënyrë të veçantë me popullin shqiptar e ju jemi posaçërisht mirënjohës, Juve, Atë i Shenjtë, sepse i krijuat popullit tonë mundësitë për ta njohur nga afër personalitetin, shenjtërinë dhe doktrinën e këtij apostulli i cili, sipas fjalëve të Akuinit “e kishte gjithnjë emrin e Krishtit në korpin e vet, në gjuhën e vet e në shkrimet e veta” (Prologo del Commentarium in Litteram ad Romanos) 1.
Vitin Paolin do ta përurojë Benedikti XV i cili, sapo të arrijë në Bazilikën e Shën Palit, do të ndezë flakën paoline. Më pas do t’ua dorëzojë murgjërve, që ta mbajnë ndezur gjatë gjithë vitit, i cili do të mbyllet më 28 qershor 2009. Pastaj Papa do të hapë Portën Paoline, simetrike me Portën Shenjte të bazilikës e do të kremtojë lutjet mbrëmësore: me të do të jenë Patriku ekumenik ortodoks, Bartolomeu I dhe një përfaqësi e Kishës anglikane, dërguar nga kryeipeshkvi i Kantërbërit, i cili nuk ka mundësi të jetë personalisht i pranishëm në kremtim.
Do të pasojnë një mori nismash me karakter fetaro-kulturor, në Romë e në mbarë botën, me të cilat do t’ju njohim vazhdimisht, deri në përfundim të këtij viti të lidhur ngushtë me historinë e krishtërimit në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.