Të favorizohet dialogu ndërmjet fesë e arësyes: ftesa që Papa Benedikti XVI u bëri
pjesëmarrësve të Simpoziumit evropian mbi temën “Të zgjerojmë horizontet e racionalitetit”.
(07.06.2008 RV)Të favorizohet dialogu
i frytshëm ndërmjet fesë e arësyes për t’iu përgjigjur sfidave të modernitetit: kjo
është ftesa që Papa Benedikti XVI u bëri pjesëmarrësve të Simpoziumit evropian mbi
temën “Të zgjerojmë horizontet e racionalitetit. Perspektivat e filozofisë”. Të promovohet
më shumë studimi i filozofisë në universitete e shkolla, u propozoi Ati i Shenjtë
profesorëve të universitetit, duke vënë në dukje se si kërkesat e njeriut të sotëm,
bazë e fenomenit të modernitetit, duhet t’i shtyjnë të gjithë, sidomos ata që punojnë
në nivelin universitar e intelektual, të gjejnë përgjigje, që zgjojnë interesin pikërisht
të këtij njeriu. Në këtë kuptim, filozofia duhet të bëhet një lëndë për t’u studiuar
nga të gjithë. Në këtë pikpamje, krishterimi, me reflektimin e tij filozofik, mund
t’i japë shumë botës: “Krishterimi, siç kam përmendur në Enciklikën Spe salvi,
nuk është vetëm një mesazh informativ, por formativ. Kjo do të thotë se feja e krishterë
nuk mund të mbyllet në botën abstrakte të teorive, por duhet të ndërthuret në përvojën
historike konkrete, që e prek njeriun në të vërtetën më të thellë të ekzistencës së
vet”. Dialogu i ri ndërmjet fesë e arësyes, përfundoi Papa, nuk mund të bëhet
më si dikur, por duhet të niset nga gjendja konkrete e njeriut.