2008-06-07 16:58:19

FAO dhe siguria ushqimore: reflektim i atë Federiko Lombardit


(07.06.2008 RV)RealAudioMP3 Përfundoi në Romë, takimi i FAO-s mbi krizën ushqimore botërore. Pavarësisht se u rritën fondet për të luftuar urinë, strategjitë e vendosura lënë për të dëshiruar. Ja reflektimi i drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardit:


“Jepi të hajë atij që po vdes nga uria, sepse po të mos i japësh, do të thotë se e ke mbytur”. Me këtë citim të fortë nga tradita e lashtë e krishterë përfundon mesazhi i Papës Benedikti XVI për Takimin e FAO-s mbi sigurinë ushqimore, zhvilluar ditët e kaluara në Romë. Askush s’mund ta fshehë vështirësinë për të përpiluar një plan operativ efikas afatmesëm e afatgjatë, që të mposhtë urinë në botë ose edhe vetëm të përballojë në kohë të shkurtër emergjencën e krijuar nga rritja e shpejtë e çmimit të ushqimeve. Në një botë të ndërlikuar, siç është kjo e jona, shkaqet e problemeve janë shpesh të shumta, e po kështu edhe zgjidhjet; e s’është e thënë që këto të fundit të jenë koherente e konvergjente, edhe sepse shpesh kushtëzohen nga interesa të ndryshme.
Në këtë kontekst, qëndrimi i Kishës synon sidomos mbrojtjen e parimeve bazë: e drejta për jetën e pra ushqimi si parësor e për çdo njeri; detyra e solidaritetit ndaj personave e popujve. Vazhdon Papa: “Në se respekti për dinjitetin njerëzor do të vlerësohej si duhet në tryezën e bisedimeve, të vendimeve e të zbatimit të tyre, pengesat e pakapërcyeshme do të kapërceheshin e do të zhdukej mungesa e plotë e interesimit për të mirën e tjetrit”. Me një fjalë: para urisë së të varfërve nuk mund të justifikohemi thjesht me vështirësitë për ta zhdukur. Duhen gjetur përparësitë e pikat e drejta nga ku të fillojë puna. Të parët që duhen ndihmuar janë bujqërit e vegjël të vendeve të varfëra dhe familjet e tyre. Pra, një zhvillim me në qendër dinjitetin e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.