365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: Koncili i Trentit, reforma
e madhe e Kishës.
(08.06.2008 RV)Vijoi njëzet vjet (1545-1563), kohë tepër e gjatë për një koncil!
Njëzet vjet, gjatë të cilave ipeshkvijtë e papa u mblodhën e u shmblodhën shumë herë
në qytezën e Trentit. Njëzet vjet diskutime, rragatje, vendime. Por ia vlente barra
qiranë: përfundimet e këtij Koncili të trazuar, qenë aq të frytshme, sa Kisha nuk
do të organizonte më mbledhje të tilla për tre shekuj me radhë. Kur u hap, në
vitin 1545, Koncili pati një qëllim të caktuar: do të flitej për protestantët dhe
idetë, që praktikonte kreu i tyre, murgu gjerman, Martin Luteri, i cili ishte në kundërshtim
me Kishën në shumë drejtime. Prej këndej edhe emri ‘protestant’, nga fjala ‘protestë’,
apo ‘kundërshtim’. Luteri ngrinte zërin për të kërkuar reforma në jetën e brendshme
të Kishës. E pikërisht për të përballuar këtë situatë u mblodh Koncili. Por përpjekja
për të ecur në rrugën e dialogut me protestantët, dështoi që në hapat e para. Në këtë
epokë, fetë nuk ishin ende të gatshme për të dialoguar njëra me tjetrën… Prandaj duhej
pritur shekulli XX, që fjala dialog të dilte nga arkivi i fjalëve të papërdorura e
të hynte në jetën e gjallë. Suksesi do të arrihej në një fushë tjetër: Koncili bëri
një spastrim të përgjithshëm në gjirin e Kishës, duke e riorganizuar fund e krye.
E Kisha kishte vërtetë nevojë, sepse ishin dukur qëkur shenjat e para të pështjellimit.
Nuk merrej vesh mirë kush duhej të ishte në krye të punëve. Ipeshkvijtë e ngarkuar
për drejtimin e dioqezave, shpesh herë jetonin larg nga zona që u ishte caktuar e
nuk i njihnin fare problemet e grigjës. Kështu meshtarët liheshin pas dore e nuk mund
ta merrnin formimin e duhur, për të kryer misionin e tyre. Koncili nisi menjëherë
përpjekjet për të vënë rregull në jetën e Kishës universale e të kishave vendase,
duke ripërsëritur me ngulm cili duhet të ishte organizimi i tyre. Në krye të Kishës
është papa, kryebariu i gjithë të krishterëve, i cili cakton përfaqësuesit e vet,
ipeshkvijtë, që janë barinjtë e dioqezave. Për të qenë barinj të mirë, tani e tutje
duhet të banojnë në dioqezë. Pastaj ipeshkvijtë përgatisin meshtarët, të cilët kanë
për detyrë të edukojnë e të ndihmojnë. Prej këndej, priftërinjtë e rregulltarët, duke
pasur përgatitjen e përshtatshme dhe ndihmën e ipeshkvit, mund të jenë barinj të mirë
në famullitë e tyre… dmth, në gjirin e gjithë të krishterëve. Falë këtij organizimi
të mirëpërcaktuar, Kisha vijon ecjen përpara me forca të reja, sepse tashmë secili
anëtar i saj e njeh mirë misionin e vet. Priftërinjtë e kryejnë me zell të madh detyrën
e barinjve, që duhet t’i prijnë grigjës drejt Hyjit; nga ana e tyre, katolikët ndjehen
të mbrojtur. Pas Koncilit të Trentit, shenjtorë të mëdhenj do të lenë gjurmët
e tyre të pashlyeshme në historinë e Kishës.