2008-06-06 18:03:59

Atentat i dyfishtë në Sri Lanka. Kryeipeshkvi i Kolombos: luftë absurde.


(06.06.2008 RV)RealAudioMP3 Shkallëzohet dhuna në Sri Lankë. Sot paradite një autobuz u hodh në erë në kryeqytetin Kolombo, duke shkaktuar 22 të vdekur e 50 të plagosur. Një autobuz tjetër shpërtheu duke shkaktuar vetëm të plagosur. Që nga fillimi i konfliktit në ishull, në vitin 1983, kanë gjetur vdekjen 60 deri në 70 mijë vetë. Që nga 16 janari i këtij viti nuk respektohet më armëpushimi ndërmjet qeverisë dhe rebelëve Tamil, i cili u nënshkrua në shkurtin e 2002-shit me ndërmjetësimin e Norvegjisë. Gjendja është rënduar që nga 2005-a, kur është zgjedhur president Mahinda Razhapaksa, nacionalist që ka përdorur grushtin e hekurt kundër guerriljes. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Kolombos, imzot Osvald Tomas Kolman Gomis për qëndrimin e kishës së vendit:
Ne e kemi thënë qartë se jemi për një zgjidhje politike. Dhe kemi nënvizuar tri pika: së pari, se ky është një vend i vetëm e nuk mund të ndahet. Së dyti, se çdo qytetar i këtij vendi duhet të ketë të drejta të barabarta. Së treti, se zgjidhja e problemit të sotëm nuk është lufta, por një zgjidhje politike e bazuar mbi drejtësinë dhe barazinë. Unë shpresoj që këto propozime të merren seriozisht në konsideratë nga qeveria e Sri Lankës. Nga ana jonë, i ftojmë të gjithë të luten për këtë vend, sepse çka është e pamundur për njeriun është e mundur për Zotin. Kjo është thirrja ime e fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.