2008-06-05 16:54:16

Kremtime për Ditën botërore të ambientit: ‘Dekalogu’ i Selisë së Shenjtë për mbrojtjen e Krijimit e të burimeve të tij. Intervistë me imzot Krepaldin.


(05.06.2008 RV) Doktrina shoqërore e Kishës i frymëzon dhe i nxit ndërgjegjet e njerëzve t’i mbrojnë burimet e Krijimit, për të sotmen e për të ardhmen, duke respektuar ritmet natyrore, me vëmendje solidare për tokat më të varfëra. E thekson këtë Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kremton Ditën botërore të ambientit, themeluar nga OKB-ja. Qendra e kremtimeve të sivjetme është Zelanda, ndërsa tema është “Jo vartësisë! Për një ekonomi me përqindje të ultë qymyri”. E kjo, sepse ‘planeti ynë rrezikohet shumë pikërisht ngaqë është mësuar me qymyrin’. Alarmin e jep sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban-Ki mun që në rreshtat e para të komunikatës së tij për Ditën botërore të ambientit. Në se është e vërtetë se qymyri e nafta – theksohet në komunikatë - i hapën udhën e industrializimit, Perëndimit më parë, e sot, vendeve në rrugë zhvillimi, është po aq e pamohueshme se vartësia jonë nga energjia e fituar prej qymyrit, ka rritur në mënyrë të ndjeshme gazet që shkaktojnë ngrohjen e atmosferës e që njihen me emrin ‘gaze-serrë’. Shkatërrimet që po shkaktojnë fenomenet e paparashikueshme të natyrës dhe ndryshimet klimaterike të pallogaritshme, flasin për një situatë dramatike, së cilës i duhet shpallur luftë globale, duke bërë të gjitha përpjekjet që Planeti të ketë sa më shpejt ‘një ardhmëri pa qymyr’.
Mbi temat e mbrojtjes së ambientit edhe Selia e Shenjtë ka treguar gjithnjë vëmendje të madhe, siç e pohon ipeshkvi Xhampaolo Krepaldi, sekretar i Këshillit të Drejtësisë e Paqes, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Duhet të shpreh, në radhë të parë, vlerësimin tim për nismën, për Ditën e për temën e saj, që flet për një ekonomi të drejtë e solidare dhe për marrëdhëniet e sotme ndërmjet vende të pasura e të varfëra. Është ide e mirë të pakësohet përqindja e karbonit, por duhen shtuar gjëra të tjera, e jo vetëm energji alternative, siç thuhet sot.

Pyetje: - Ç’mendoni për përdorimin e energjisë bërthamore?

Përgjigje: - Përsa i përket energjisë bërthamore, qëndrimi i mësimeve shoqërore të Kishës është krejt i qartë: dënohet përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime ushtarake, por jo për qëllime ekonomike, në ndihmë të shoqërisë. Thikë me dy teha (presa), kjo energji, sepse shpesh thuhet që do të përdoret për qëllime civile, në sa pas kësaj fjale fshihen pikërisht qëllimet ushtarake.

Pyetje: - Ju keni hartuar një ‘Dekalog’ për mbrojtjen e mjedisit. Cila është përmbajtja e tij?

Përgjigje: - Kam vënë dhjetë pika, që përbëjnë kapitullin kushtuar ambientit, në Përmbledhjen e Doktrinës shoqërore të Kishës. E bëra me qëllime edukative, formuese. Mendoj se, sidomos bashkësitë, grupet e lëvizjet e krishtera, duhet t’i njohin këto dhjetë urdhërime e, posaçërisht, mësimet tepër të pasura të Kishës mbi çështjen e mjedisit e të mbrojtjes së tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.