2008-06-05 18:16:26

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botë:Vasko de Kuiroga, ipeshkvi kundër pushtuesve


(05.06.2008 RV)Këtë herë do ta çojë deri në fund! Pas tre dështimesh, pushtuesi është i vendosur të përdorë forcën për ta shtënë në dorë fshatin. Është kthyer, së bashku me ushtrinë e tij, pikërisht për ta përfunduar këtë punë të ndyrë. Por ndodhet përpara një të papriture... Sapo ka arritur në gjysëm të rrugës, i del para një ipeshkëv, i armatosur vetëm me shkopin e tij baritor.
“Do të më sulmosh!?” - e tall pushtuesi.
“Nuk të lë të kalosh! Kjo tokë i përket Hyjit, që ua ka besuar indiosve çiçimekë e maraskë” – përgjigjet ipeshkvi.
“Kapeni”, urdhëron komandanti, “E t’i japin fund punës me këtë fshat!”.
Por, papritmas, një breshëri shigjetash bie tek këmbët e kuajve, ndërsa një tjetër, prapa trupave, duke mos i lënë të tërhiqen. Prita është organizuar aq mirë, sa pushtuesi dorëzohet, pa derdhur asnjë pikë gjak. Detyrohet të vërë majat, ku kishte vënë thembrat e të shkojë në punë të vet.
Ky ipeshkëv trim e finok është Vasko de Kuiroga. Ka ardhur në Meksikë që në vitin 1531 për t’i dhënë fund paudhësive të pushtuesve spanjollë. Vasko de Kuiroga është gjykatës e do t’ia kushtojë gjithë jetën mbrojtjes së indiosve. Sapo arrin në Meksikë, themelon fshatin e parë mikpritës në tokat e blera me paratë e veta.
Në qendër të këtij fshati është ‘instituti i djepit’, që kujdeset për të posalindurit e braktisur ose në rrezik vdekjeje. Vasko shkon t’i kërkojë vetë nëpër rrugë e nëpër pyje, ku braktisen shpesh nga vetë nënat e tyre. Pak kohë pas themelimit, shumë familje vijnë të banojnë në fshatin mikrpitës. Shtohet, kështu, numri i shtëpive, ndërtohet një spital, një kishë, dy shkolla e blihen tokat fqinje për të mbjellur bimë e për të kullotur bagëtinë.
Në pak kohë Vasko de Kuiroga themelon tri ‘fshatra mikpritëse’ ku krijon një lloj republike kristiane ideale. Punohet gjashtë orë në ditë, pesë ditë në javë. Pasuritë ndahen në mënyrë të barabartë, vizitorët priten si miq, secili ka kopshtin për nevojat e veta… Ditët pasojnë njëra-tjetrën me këngë, procesione, agjërime e meshë.Në vitin 1538 Vasko de Kuiroga emërohet nga mbreti Karli V, ipeshkëv i provincës së Mikoakanit. Në këtë zonë krijohen njëqind e pesëdhjetë ‘fshatra mikpritëse’. Indiosit tashmë mund të jetojnë si njerëz e pushtuesit, të cilëve nuk u pëlqen fare kjo sipërmarrje, duhet të ndeshen me Vasko de Kuirogën, ipeshkvin e armatosur vetëm me shkopin baritor.







All the contents on this site are copyrighted ©.