2008-06-04 18:42:51

Obama, kandidati për president i demokratëve në SHBA


(04.06.2008 RV)Pas primareve demokratike në Montana dhe në Dakotën e Jugut, u përvijua tashmë përfundimisht kuadri i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Republikani Xhon MekKein do të sfidohet nga demokrati Barak Obama. Senatori i Ilionisit është afroamerikani i parë që hyn në garën për president, në një nga dy partitë e mëdha të vendit. Hilari Klinton tërhiqet me një diferencë prej pak votash, por me premtimin për ta shoqëruar Obamën në Shtëpinë e Bardhë, ndoshta me detyrën e zv.presidentes. Por mund të jetë një figurë tepër e rëndësishme, pas një presidenti të sapozgjedhur si Obama, prandaj nuk dihet nëse ai do ta ftojë në ndarjen e pushtetit. Amerika ka kaluar tashmë një periudhë të gjatë me një zv.president si Dik Çenej, i cili praktikisht ka qeverisur Shtëpinë e Bardhë në vend të Xhorxh Bushit. Nga ana tjetër, Hilari Klinton si zv.presidente mund t’i shtyjë latinoamerikanët të votojnë për Obamën. Elektorati i demokratëve është i ndarë përgjysëm e tradita kërkon që kur nuk janë dakord me kandidatin, edhe pse i së njëjtës parti, njerëzit abstenojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.