2008-06-04 18:39:19

Nota e Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen: Një politikë e re globale për bujqësinë


(04.06.2008 RV)Është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare të ndërgjegjësohet dhe ta konsiderojë ushqimin si një të drejtë universale të të gjithë njerëzve, pa dallime e diskriminime. Kjo është thirrja e Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, i cili sot ka publikuar një notë të gjatë mbi gjendjen e ushqimit në botë. Një dokument, që ndalet mbi shkaqet dhe përgjigjet e mundshme për të zgjidhur problemin e emergjencës ushqimore, botuar me rastin e Takimit të nivelit të lartë të FAO-s, i cili sot përfundoi në Romë ditën e tij të dytë.
“Kriza ushqimore botërore kërcënon respektimin e së drejtës parësore të çdo personi, atë për të qenë i lirë nga uria” konstaton me keqardhje dikasteri i kryesuar nga kardinali Renato Rafaele Martino. Pasi nënvizon se t’u japë për të ngrënë të uriturve është detyrë etike për Kishën, nota e “Drejtësisë e Paqes” numëron shkaqet që kanë sjellë rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Nga njëra anë, reduktimi i të korrave në vendet prodhuese të drithërave, si Kina, për shkak të kushteve të klimës. Rritja e çmimit të energjisë ka sjellë rritjen e kostos për prodhimin bujqësor. Është pikërisht rritja e çmimit të naftës, ajo që e ka bërë më të leverdisshëm prodhimin e energjisë nga biokarburantet, “duke i marrë kështu tokën prodhimit të drithërave për qëllime ushqimore”. Në notë, kritikohen më pas ata investues ndërkombëtarë, që kanë spekulluar me rritjen e çmimit të ushqimeve.
Jo më pak të rëndësishëm për Këshillin Papnor janë faktorët strukturorë. Gjatë 30 vjetëve të fundit, është rritur kërkesa për ushqime, por politika nuk i është përgjigjur ashtu si duhet. Nota kujton këtu, politikat e zbatuara në vendet në zhvillim, të cilat janë specializuar në prodhime për eksport, duke shkatërruar ekonominë tradicionale vendore, duke varfëruar fshatarët e dobësuar autonominë ushqimore.
Efektet, vë në dukje dokumenti, janë dramatike. Sipas vlerësimit të OKB-së, sa herë që çmimi i ushqimeve rritet me 1%, 16 milion njerëz nuk arrijnë ta ngopin barkun me bukë. E në vend që të përgjysmojë varfërinë në vitin 2015, siç parashikon objektivi i Mijëvjeçarit, bota do të gjendet me 1 miliard e 200 milionë të uritur kronikë. Këshilli “Drejtësi e Paqe” nuk ndalet thjesht në një analizë të fenomenit, por përpiqet të japë edhe rrugëdalje. Një politikë e re globale për bujqësinë, që dokumenti e quan me fjalën angleze “New Deal” (Nju Diill), në gjendje të rrisë prodhimin.
Së pari, fshatarët e vendeve në zhvillim duhet të ndihmohen të prodhojnë më shumë e duhet t’u sigurohet tregu për prodhimet e tyre. Për këtë, një mënyrë mund të jetë zbatimi korrekt i bioteknologjive. Gjithashtu në vendet e Jugut të botës duhet të përfundojë reforma agrare. Përsa i përket vendeve të industrializuara, në mbledhjen e ardhshme të G-8-ës, nënvizon dikasteri i Vatikanit, duhet rishikuar prodhimi i biokarburanteve, duke pasur parasysh mungesën e produkteve bujqësore.
U bëhet thirrje SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian të kultivojnë terrenet e lëna djerrë gjatë viteve të fundit. Nuk lihet mënjanë edhe fakti se kriza aktuale ushqimore është shkaktuar edhe nga spekullimi financiar mbi lëndët e para dhe kërkohet të vendosen rregulla për ato veprime financiare, që ndikojnë në respektimin e së drejtës parësore të ushqimit për të gjithë. Së fundi, nota kritikon këdo që përmend sërish tezat maltusiane, sipas të cilave është rritja e popullsisë ajo që ka shkaktuar emergjencën ushqimore, prandaj duhet të zvogëlohet numri i lindjeve në vendet e varfëra.







All the contents on this site are copyrighted ©.