2008-06-04 17:28:26

Benedikti XVI mbi Gregorin e Madh: mësoi madhështinë e përvujtërisë që duhet ta dëshmojë çdo ipeshkëv.


(04.06.2008 RV)RealAudioMP3 “Ipeshkvi, për të qenë prijës i shpirtrave e bari i Kishës, duhet të jetë i përvujtë, si vetë Zoti. Gregori i Madh ishte mishërim i këtij virtyti e prandaj mbeti në histori si papë i madh”. Këtë pohoi Benedikti XVI në katekizmin e dytë të së mërkurës, kushtuar Papës së famshëm, që jetoi në shekullin VI. Audienca e përgjithshme, e kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përfundoi me përshëndetjen e Atit të Shenjtë drejtuar atletëve, që do të çojnë ‘Pishtarin e paqes” në shtegtimin e 30-të të Maçeratës në Loreto.

Ishte papë i madh, sepse tejet i përvujtë: mbeti murg në thellësi të shpirtit, ndonëse u ul në fronin e Shën Pjetrit dhe e drejtoi Kishën universale me aftësi të madhe, në kohë të vështira. Jetoi sipas një formule, që e krijoi vetë e që mbeti pastaj epitet, i cili tregon si duhet të jetë papa: servus servorum Dei, shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit. Në katekizmin e dytë, të përqëndruar tek figura e Shën Gregorit të Madh e posaçërisht tek vepra e tij madhore doktrinore, Benedikti XVI e kujtoi disa herë fjalën që ai e vuri në bazë të çdo veprimtarie: përvujtëri kur studion Biblën, përvujtëri kur ua shpjegon besimtarëve, përvujtëri kur kryen misionin papnor, pa hequr dorë nga vendosmëria e imponuar prej detyrës, siç ishte, për shembull ngjarja që shkaktoi mosmarrëveshje me Patrikun e Kostantinopojës:
“Në se Shën Gregori, në rrethana të caktuara historike, nuk e pranoi titullin ‘ekumenik’ të Patrikut të Kostantinopojës, nuk e bëri sepse deshi t’ia kufizonte ose t’ia mohonte këtë autoritet, që i takonte me të drejtë, por sepse shqetësohej për unitetin vëllazëror të Kishës universale. E bëri, sidomos për shkak të bindjes se përvujtëria duhej të ishte virtyti themelor i çdo ipeshkvi, aq më tepër i patrikut (…). Dëshira e tij e vërtetë ishte të jetonte si murg, në lidhje të vazhdueshme me fjalën e Zotit (…). Pikërisht pse qe i tillë, mbeti gjithnjë i madh e na e tregon edhe ne masën e madhështisë”.
Për ta vënë më mirë në dukje këtë cilësi të Gregorit të Madh, Benedikti XVI u mbështet kryesisht në shkrimet e Shenjtit, në të cilat, ndërmjet tjerash – nënvizoi Papa – nuk theksohet aq doktrina e tij, sa shqetësimi për t’u bërë jehonë mësimeve të Kishës. Edhe kjo, shenjë përvujtërie, që Shën Gregori i Madh, lexues i pasionuar i Biblës - e dëshmoi duke u lidhur gjithnjë më ngushtë me Shkrimin Shenjt:
“Përvujtëria intelektuale është rregulla kryesore për atë, që kërkon të depërtojë në realitetet e mbinatyrshme, duke u nisur nga Libri i Shenjtë. Përvujtëria nuk e përjashton studimin serioz, por është e domosdoshme, në se duam që ky studim të jetë shpirtërisht i frytshëm, duke i krijuar studiuesit mundësinë të hyjë në thellësi të teksteve. Vetëm kështu mund të dëgjohet e të perceptohet me të vërtetë zëri i Zotit. Nga ana tjetër, kur kujtojmë Fjalën e Hyjit, duhet të kemi parasysh se nuk mjafton ta kuptosh, në se kuptimi i saj nuk të nxit edhe të veprosh”.
Ta lidhësh ngushtë fjalën me veprën, mendimin me impenjimin, ky për Papën e shekullit VI është ideali moral, që do të bëhet – pohoi Benedikti XVI – një lloj Summa – përmbledhje teologjie, për të krishterët e Mesjetës. E do të kishte shumë sukses edhe ‘Rregulla baritore’ e shkruar nga Gregori i Madh, në të cilën përshkruhet figura e ipeshkvit ideal. Është një model që, natyrisht, duhet të bazohet mbi një cilësi, të pasuruar nga të tjerat:
Ai pohon se ipeshkvi është, sidomos, predikatar e, si i tillë, duhet të bëhet shembull për të tjerët, në mënyrë që sjellja e tij të jetë pikë referimi për të gjithë (…). Papa i Madh kujton me ngulm detyrën që ka bariu për ta pranuar çdo ditë mjerimin e vet, në mënyrë që krenaria të mos e zhbëjë para syve të Gjykatësit më të lartë, të mirën e bërë. Prandaj kapitulli përfundimtar i Rregullës i kushtohet pikërisht përvujtërisë”.
45 vjet më parë, më 3 qershor, Roma e bota merrnin, me emocion të thellë, lajmin e vdekjes së të Lumit Gjoni XXIII. Duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI e kujtoi figurën e tij me këto fjalë:
“Njerëzit e quanin ‘Gjoni i mirë’ ose ‘Papa i mirë’. Ishte ai që mblodhi Koncilin II të Vatikanit, me të cilin nis përtëritja e Kishës, reformimi i strukturave të saj dhe risimi i liturgjisë”.
Papa uroi që kjo reformë të sjellë fryte në mijëvjeçarin e tretë e, së fundi, përshëndeti edhe atletët italianë, që lartonin ‘Pishtarin e Paqes’, i cili do t’i prijë shtegtimit të ardhshëm në këmbë nga Maçerata në Loreto.







All the contents on this site are copyrighted ©.