(03.06.2008 RV)Të krijohet një
rrjet ndërkombëtar murgeshash për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore, në të cilin
janë përfshirë nga 600 deri në 800 mijë vetë, shumica gra. Ky është objektivi i takimit
të Bashkimit ndërkombëtar të eproreve të përgjithshme dhe Organizatës botërore të
Emigracionit, i cili do të vazhdojë deri më 6 qershor në Romë. 31 kongregatat e pranishme,
të ardhura nga 20 vende të ndryshme, janë tashmë prej vitesh të impenjuara në luftën
kundër këtij fenomeni sa të rrezikshëm, aq edhe të trishtuar. Në mikrofonin tonë,
motër Aurelia Agredano, konsulente e përgjithshme e fondacionit spanjoll të Motrave
Adhuruese Shërbëtore të Shenjtnueshmit Sakrament dhe të Bamirësisë: Trafiku
i qënieve njerëzore është një problem ndërkombëtar e prandaj, duhet një rrjet ndërkombëtar
për të bërë diçka, përndryshe vetëm nuk ia dalim. Shumë janë vendet e përfshira e
shumë situatat. Është problem i të drejtave të njeriut. Personat shfrytëzohen e vijnë
nga vende me situatë politike jo të qëndrueshme e me shumë varfëri. Për këtë hyjnë
në fenomenin e emigracionit dhe trafikantët gjenjnë aty një rast të mirë për të shfrytëzuar
njerëzit. Ne kemi shtëpi ku u japim këtyre personave ndihmë në të gjitha nivelet.
Bëjmë edhe sensibilizim, formim, është një punë në rrjet, është një sfidë shumë e
madhe. Është e rëndësishme të bashkohemi, jo vetëm ne murgeshat, por edhe organizatat
qeveritare, politike. Duhet të zgjohen e të bashkohen me ne për të ndërtuar një shoqëri
më të drejtë, ku secili mund të jetojë në drejtësi e liri.