2008-06-03 18:41:59

Drejt DBR-së të Sidneit: temat e katekizmit.


(=3.06.2008 RV)Organizatorët e DBR-së 2008 të Sidneit, dhanë njoftimin mbi temat dhe fragmentet e Shkrimit Shenjt për ditët kur do të mbahet katekizmi ose mësimi i besimit.
Katekizmin do ta mbajnë ipeshkvij nga mbarë bota, në 300 kishat dhe selitë e tjera katolike të Sidneit, duke filluar nga 16 deri më 18 korrik.
Tema kryesore e këtij katekizmi triditor, “Shpirti Shenjt e Misioni”, do të zhvillohet në disa faza:
Të mërkurën, më 16 korrik, do të mbahet katekizmi me temë “Të thirrur për të jetuar në Shpirtin Shenjt”.
Fragmentet e Shkrimit Shenjt janë: “Në se jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt” - nga letra e Shën Palit drejtuar Galatasve (Gal 5. 25)
Leximet për Meshën: nga Veprat e Apostujve (Vap. 1, 6-14) e nga Ungjilli sipas Lukës (Lk. 24, 44-49).
Të enjten, 17 korrik: tema e katekizmit: “Shpirti Shenjt, shpirt i Kishës”.
Fragmentet e Shkrimit Shenjt janë: “Në të vërtetë, të gjithë jemi pagëzuar në një Shpirt të vetëm, për të formuar një trup të vetëm, e të gjithë kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt” (1 Kor 12,13).
eximet për Meshën: nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve (1 Kor 12, 4- 13) e nga Ungjilli sipas Mateut (Mt. 16, 13-19).
Të premten, 18 korrik: tema e katekizmit: “Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi”- (Vap. 1,8). Leximet për Meshën: nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve (1 Kor 9,16-19) e nga Ungjilli sipas Mateut (Mt. 28, 16-20).
Fragmenti i Shkrimit Shenjt i së premtes, është edhe tema e DBR-së 2008.
Katekizmi është zemra e DBR-së. Përmes tij të rinjtë me histori e përvoja të ndryshme, mblidhen për të dëgjuar, për të reflektuar, për të diskutuar e për t’u lutur në harmoni”- deklaroi ipeshkvi Entoni Fisher, koordinator i DBR-së 2008.
E më pas shtoi: “Të gjithë shtegtarët, që do të marrin pjesë në DBR08, duhet të nisin që tani reflektimin mbi temat e katekizmit, në mënyrë që në korrik të jenë të përgatitur për të qenë dëshmitarë të Shpirt Shenjt e të mund të përfitojnë sa më shumë nga përvoja e DBR-së.
Temat e katekizmit dhe leximet për çdo Meshë u caktuan nga Këshilli Papnor për Laikët, organ i Vatikanit, që mbikqyr përgatitjen e Ditëve Botërore të Rinisë.
E organizuar nga Kisha katolike, Dita Botërore e Rinisë, i fton të gjithë të rinjtë e botës të marrin pjesë në javën e jashtëzakonshme rinore, që do të kremtohet në Sidnei të Australisë më 15 deri më 20 korrikun e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.