2008-06-02 18:05:19

Në Engjëllin e Tënzot, Benedikti XVI thekson se Zemra e Krishtit është qëndra e historisë dhe ia beson ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar viktimat e Kinës e të Mianmarit.


(02.06.2008 RV)RealAudioMP3 Një thirrje e re për katastrofat ambientale dhe humanitare, që kohët e fundit goditën rëndë Kinën e Mianmarin - dhe një lutje për t’ia besuar Zojës së Bekuar të gjithë njerëzit, të cilët vuajnë nga mjerimet, që s’pushojnë s’e godituri botën. Reflektimi i Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, përfundoi me këtë akt të ri solidariteti për viktimat e ciklonit Nargis dhe të tërmetit kinez, pas një reflektimi të shkurtër, përqendruar tek kuptimi shpirtëror i Zemrës së Krishtit, të cilën e quajti ‘zemra e botës”, që zgjëron kufijtë e historisë.
“Dëshiroj t’i lutem edhe një herë Virgjërës të ndërmjetësojë për popullsitë e Kinës e të Mianmarit, të dëmtuara rëndë nga fatkeqësitë e natyrës, si dhe për të gjithë ata, të cilët vuajnë nga dhimbjet, sëmundjet, mjerimi material e shpirtëror, që nuk i ndahen njerëzimit në shtegtim”.
Prej ditësh zemra e Papës shqetësohet për lajmet që arrijnë si nga provoinca kineze e Siçuanit, ashtu edhe nga ish-Birmania: lajme të një toke që duket se nuk gjen paqe në Kinë, ku ditë për ditë zgjërohen përmasat e shkatërrimeve të shkaktuara nga tërmeti; e lajme nga popullsia e Mianmarit, që po kalon vështirësi të mëdha, sepse nuk arrin të marrë as ndihmat humanitare, ardhur nga mbarë bota, grumbulluar në kufijtë e vendit. Zemra e Papës vuan, por edhe ngushëllohet, sepse është zemër e njeriut që e njeh forcën e fesë, e cila buron nga një zemër më e madhe, Zemër e Shenjtë, Zemra e Krishtit, që u kremtua në solemnitetin e së premtes së kaluar. Duke menduar për këtë festë, e treta e Kohës së Pashkëve, pas asaj kushtuar Trinisë Shenjte dhe Korpit të Krishtit, Benedikti XVI vërejti:
Kjo vazhdimësi të bën të mendosh për një lëvizje drejt qendrës: lëvizje së cilës i prin vetë Hyji. Nga horizonti i pakufishëm i dashurisë së tij, Zoti deshi të hynte në kufijtë e historisë e të jetës njerëzore, mori korp e zemër; kështu që ne mund të kundrojmë e të takojmë të pakufishmen në të kufishmen, Misterin e padukshëm e të pashprehshëm, në zemrën njerëzore të Jezusit, Nazarenit (…). E kjo qendër e fesë është edhe burim i shpresës me të cilën shpëtuam, shpresë që u bë objekt i Enciklikës sime të dytë”.
Çdo njeri – vijoi Papa – ka nevojë për një endërr në jetën e tij, për një burim të së vërtetës e të mirësisë, ku mund ta shuajë etjen në mundimin e tij të përditshëm. Secili nga ne – shtoi Papa:
Kur ndalohet në heshtje, ka nevojë të dëgjojë jo vetëm rrahjen e zemrës së vet por, më në thellësi, rrahjen e një zemre tjetër të besueshme, të perceptueshme me ndjenjat e fesë e gjithsesi shumë më reale: praninë e Krishtit, zemrës së botës. Ju ftoj, prandaj, të gjithëve të përtërini gjatë muajit qeshor, devocionin për Zemrën e Krishtit, duke vlerësuar edhe lutjen tradicionale të kushtimit të ditës e duke pasur parasysh edhe ndjetet që i kam propozuar mbarë Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.