2008-06-02 18:24:44

Kardinali Valter Kasper pas kthimit nga Rusia: filloi një fazë e re në marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve rusë.


(02.06.2008 RV)Kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, ishte në Rusi më 21 deri më 30 maj, me ftesë të Hirësisë së Tij, Kirill, metropolit i Smolenskut e i Kaliningradit, si dhe kryetar i departamentit për marrëdhëniet e jashtme kishtare të Patriarkanës së Moskës.
U takua edhe me patrikun ortodoks Aleksei II, të cilit i dorëzoi një Letër të Benediktit XVI. Në mesazh, Papa shpreh kënaqësinë për shenjat e vëllazërimit, që vërehen gjithnjë më shumë në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave motra, të cilat kanë një dëshirë e një qëllim të përbashkët: të mbështesin, në botë, vlerat e krishtera. Ja si shprehet kardinali Kasper, në përfundim të kësaj vizite private:


Përgjigje: - Nisi si vizitë private, por pastaj u bë vizitë gjysëmzyrtare. Unë pata si qëllim ta njoh më mirë Rusinë, traditën e saj shpirtërore, fetare e teologjike, prandaj shtegtova në disa krahina të vendit. Isha në Kazan për të nderuar përsësi ikonën e Zojës së Kazanit. Isha, pastaj, në Novgorod, në manastirin ku jetoi një nga shenjtorët më të nderuar, Serafini i Sarovit. U takova me studentët, sepse kjo për mua kishte shumë rëndësi, dhe me disa ipeshkvij. Më pritën shumë më mirë sesa shpresoja: me zemër të hapur e me ndjenja vëllazërore. Kjo më kënaqi e më tregoi se jemi në fillim të një faze të re të marrëdhënieve tona me Kishën ortodokse ruse. Mendoj se edhe ata duan t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e së kaluarës, të cilat nuk janë sqaruar akoma, natyrisht. E them këtë, sepse nuk dua të jem utopist. Por them edhe se ndjehet fuqimisht dëshira për fillimin e një faze të re bashkëpunimi ndërmjet dy Kishave. E kjo është shumë e rëndësishme. I rëndësishëm është edhe fakti që takmi me Aleksein II ishte pozitiv e plot shpresa për të ardhmen. Patriku më dha një letër e një dhuratë për Atin e Shenjtë dhe në fund, duke më folur gjermanisht, më tha se e do shumë Papën. Pikërisht kështu u shpreh.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.