365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(02.06.2008 RV)2 qershor: Injac
Lojola: themelimi i Shoqërisë së Jezusit. Paris, 15 gusht 1534. Nëntë burra,
mbledhur rreth Injacit të Lojolës, bëjnë betimin në Kapelëzën e Zojës me Shtatë Hanxharë
në Montmartrë. Sapo t’i kryejnë studimet, do të nisen menjëherë për të predikuar Ungjillin.
“Premtoj se do të shkoj në Jeruzalem e se do të shkrij gjithë jetën time për shpëtimin
e shpirtrave. Por, në se brenda vitit nuk do të gjej asnjë anije që niset nga Venediku,
bëj kushtin të shkoj tek Papa, që të më çojë ku të dojë, për lumninë e Hyjit e të
shpirtrave!”. E kështu, tri vjet më pas, këta burra janë gati të nisen për mision
nga Venediku. Por anijet nuk lëvizin: lufta ndërmjet Republikës veneciane e turqëve,
paralizon shkëmbimet ndërmjet vendeve të Mesdheut. Dhjetë shokët mbeten të zhgënjyer
keqas. Shumica janë krejt të rinj, plot me ide e ëndrra, të lumtur që do t’ia kushtojnë
gjithë jetën Hyjit e do të predikojnë fjalën shëlbuese. Po ja që planin e mori lumi!
Duke përsëritur betimin e 15 gushtit, vendosin të bëjnë atë që ishte parashikuar,
në rast të pamundësisë për ta realizuar shtegtimin në Jeruzalem. Injaci, së bashku
me njërin nga shokët, niset për tek Papa. Por, para se të përshëndetet, u lind një
pyetje, që nuk e kishin paramenduar: “Ç’emër do të zgjedhim për shoqërinë tonë?”,
pyet njëri prej tyre. “Ne jemi shokët e Jezusit” – ia pret, aty për aty, një tjetër. “Atëherë
mund të quhemi ‘Shoqëria e Jezusit”, propozon një i tretë. Shokët e Jezusit njihen
më shumë me emrin ’Jezuitët’. Një nga misionet e tyre të para në Itali e pastaj
në mbarë Evropën, është fusha e arsimit. Ndërsa Injaci nisej për Romë, shokët e tij
u ndanë e u nisën në qytetet e mëdha universitare italiane: Padovë, Bolonjë, Firence,
Ferrara, Sienë, për t’ua predikuar Hyjin njerëzve të ngritur të epokës. Për shekuj
me radhë, qëllimi i tyre ishte formimi i elitave intelektuale që, si të arrinin në
pushtet, ta organizonin gjithë jetën në frymën e Ungjillit. Në kolegjet e tyre jezuitët
përdorin një metodë të veçantë, të bazuar mbi shpirtin e garës, për të nxitur punën
e studentëve. Jezuitët sot janë aktivë në fronte nga më të ndryshmet: merren me
të varfërit (fëmijët e braktisur në Indi, favelas në Brazil, banorët e Afrikës), por
edhe me mjediset e kulturës, të shtypit e të universitetit. Të pakta janë fushat e
jetës, ku nuk ndjehet prania e jezuitëve.