2008-06-02 18:30:08

28 të arrestuar në Maqedoni në zgjedhjet e fituara nga Gruevski


(02.06.2008 RV)Në zgjedhjet e djeshme të parakoshme në Maqedoni fitoi partia Vmro-Dpmne e kryeministrit aktual, Nikolla Gruevski. Nga partitë shqiptare, fitorja i takon pa dyshim BDI-së së Ali Ahmetit. Por, pavarësisht nga rezultatet, zgjedhjet ishin një faqe e dyshimtë në historinë e demokracisë maqedonase, pasi u shenjuan nga ndeshje të dhunshme, që i kushtuan jetën një personi. Fatkeqësisht, protagonistë në këto ndeshje ishin shqiptarët e dy partive rivale. Policia gjeti depozita armësh e municionesh e u detyrua të pezullonte votimet në disa zona, e madje edhe në Tetovë. Jo vetëm kaq! OSBE-ja i ka shpallur zgjedhjet jo krejtësisht të rregullta, pasi “standartet ndërkombëtare bazë nuk janë respektuar”.
Dhe ja arësyet: “Dhuna e përpjekja për të manipuluar fushatën kanë hedhur një hije të trishtë mbi zgjedhjet – deklaroi Pia Kristmas-Moler nga skuadra e vëzhguesve të OSBE-së. Respektimi i ligjit është garantuar vetëm në disa zona dhe autoritetet nuk mbërritën të shmangin dhunën dhe kërcënimet në zonat shqiptare”.
Ndërkaq, policia maqedonase ka arrestuar 28 vetë e po kërkon edhe 8 të tjerë. Ndër të arrestuarit figurojnë edhe Agim Krasniqi, kreu i një grupi të armatosur shqiptar, dhe shtatë ndjekës të tij. Në vendin ku fshihej Krasniqi, policia ka gjetur armë, granata e 7 pako me marihuanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.