2008-06-01 13:08:00

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(01.06.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën IX të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. U përkujtua edhe Shën Justini, filozof e martir.

Vepra shëlbuese e Jezusit në dobi të mbarë njerëzimit është një mrekulli, të cilën e shikojnë të gjithë ata, që kanë sy për të parë shenjat e kohëve. Këtë na kujtojnë, në liturgjinë e së hënës, Shën Marçelini, meshtar; Shën Pjetri ezorçist e Shën Eugjeni I, papë.

E martja kremton në një liturgji të vetme shenjtorë të Kishës katolike që u flijuan në mënyra të ndryshme e në vende të ndryshme, por që i bashkon një frymëzim i vetëm: shërbimi ndaj Krishti e njeriut. Është festa e Shën Karl Lvangës e shokëve të tij, martirë të Ugandës dhe e Shën Klotildes, mbretëreshë e frankëve.

Shën Françesk Karaçolo, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe Shën Kuirini, martir, që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë se i krishteri nuk duhet të harrojë t’i lartojë Zotit lutjen e përditshme, me besim të plotë se vdekja nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit! Zoti na jep shpresën e sigurtë se do të gëzojmë, bashkë me të, në lumturinë e amshuar.

Të enjten do të kremtohet Shën Bonifaci, ipeshkëv e martir, pajtor i Gjermanisë. Na kujton se dashuria për Hyjin shprehet konkretisht në dashurinë për të afërmin, të cilin duhet ta duam si vetvetën. Duhet të kujtojmë pra, se Hyji, vetvetja e të tjerët janë tri mundësi, që mund t’i shfrytëzojmë për të dëshmuar se jemi krijesa të reja në Krishtin.

Shën Norberti, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i kanonikëve Rregulltarë Premostratens; Shenjtorët Artemi e Paolina, martirë dhe Shën Klaudi, abat e ipeshkëv, që do të kremtohen të premten na kujtojnë se ligji i Zotit është burim i paqes!


Të shtunën është festa e Shën Anton Maria Gjanelit, ipeshkëv i Bobios, themelues i Bijave të Marisë. Liturgjia e festës na nxit të reflektojmë se nuk ka rëndësi sasia, po cilësia e dhuratave që bëjmë. E kjo e fundit varet nga zemra. Vejusha lë në thesarin e tempullit më shumë se të gjithë, sepse zemra e saj di të dojë me fund.

Të dielën e ardhshme Kisha vijon Liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën X të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.