2008-06-01 13:03:37

Reflektim i drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi ‘Kundër armëve’.


(01.06.2008 RV)Është bërë tashmë traditë që, çdo fundjave, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, t’u propozojë atyre që ndjekin programet e RadioVatikanit dhe faqet e saj të internetit në 34 gjuhë të ndryshme të botës, një reflektim, që prek tema nga më të ndryshmet, parë gjithnjë me syrin e mësimeve të Papës e të Kishës katolike. Sot Atë Lombardi ngre zërin ‘Kundër armëve’:

“Kishte me u dashtë që armët të mos ekzistonin, edhe pse e dimë që armët mbrojtëse janë, në një fare mase, të nevojshme në këtë botë. Por është e drejtë të impenjohemi për të kufizuar sasinë e armëve, për të kufizuar përdorimin e tyre, për zhdukjen graduale të formave të armëve mbrojtëse, posaçërisht çnjerëzore. U prekëm kur Papa, në Gjenovë, pas takimit me të rinjtë në Engjëllin e Tënzot, duke qenë në rrethana që s’kanë të bëjnë fare me armët, e konsideroi si detyrë t’i drejtonte thirrjen e tij Konferencës ndërkombëtare për zhdukjen e municioneve copëtuese (bombat cluster), që hapej në Dublin. Ashtu siç është i denjë për vëmendje kontributi i përfaqësuesit të Vatikanit në konferencë. Kush i prodhon këto municione dhe i eksporton, shqetësohet vetëm për dëmin ekonomik që mund të shkaktojë zhdukja e tyre. Por a nuk i shkaktojnë një dëm shumë më të madh vendeve të goditura prej tyre e viktimave të tyre? Si mund të krahasohet humbja e fitimit ekonomik, që arrihet duke fabrikuar mjete të tilla, shkatrrimtare për vetë natyrën e tyre e të krijuara enkas për t’u shkaktuar sa më shumë dëme njerëzve, me çminimin, bonifikimin e, sidomos me dhimbjen e dëmin që pësojnë viktimat, familjet e tyre dhe bashkësia, në shumicën e rasteve krejt të pafajshëm?
Duket sheshit. Gjykimi që duhet dhënë është i qartë. Megjithatë duhet përsëritur! Pali VI u thoshte Kombeve të Bashkuara: “Nuk mund të duash me kobure në dorë!” dhe kujtonte se armatimet shkatërrojnë besimin reciprok dhe kërkojnë shpenzime të mëdha, duke penguar projektet e paqes e të solidaritetit. Jeta ndërkombëtare në paqe mund të bazohet vetëm mbi të drejtën e jo mbi forcën. Çdo hap i veçantë kundër prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të armëve duhet mbështeur. Edhe përpjekja për të zhdukur minat kundër njeriut, edhe lufta kundër municioneve copëtuese”.







All the contents on this site are copyrighted ©.