2008-05-31 20:25:36

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 9-të gjatë vitit 'A': Shtëpia e ndërtuar mbi shkëmb!


(31.5.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të meshës së shenjtë të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 9-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele e orijenton vëmendjen tonë mbi vullnetin e Zotit, që në kohën e Besëlidhjes së Vjetër është transkriptuar apo shkruar në ligjin e vjetër dhe është shpallur nga Mosiu. Jezusi duke përuruar Besëlidhjen e Re inziston mbi urdhërin e dashurisë, e Pali apostull saktëson se me të cilin shpirt e në të cilën dritë duhet ta kuptojmë Ligjin e Zotit.
Para se të hyj në tokën e premtuar, Mosiu ia beson popullit testamentin e vet. Fjala e Zotit, e përmbledhur në urdhërime, duhet të pranohet e të jetohet (mishërohen): kjo është garancia e besnikërisë. Po më hollësisht, ta dëgjojmë leximin e parë nga Libri i Deutoronomisë…

Shën Agostini pranon se në psalmin 30 kemi plotësimin e madhërishëm të përqafimit e të shkëmbimit mes Krishtit e njerëzimit. Me këto ndjenja ta dëgjojmë psalmi 30 të kësaj së diele….

Shëlbimi i njeriut nuk ka lindur prej veprave njerëzore ( siç është për shembull zbatimi i ligjit), por përmes hapjes sonë ndaj fesë, përmes besimit tonë në Zotin, që mbetët gjithmonë një dhuratë falas që kemi marrë nga Hyji. Pra, feja është dhuratë hyjnore. Mbi këte ta dëgjomë leximin e dytë të kësaj së diele nga letra e Shën Palit apostull drejtuar Romakëve….

Edhe ne të krishterët sot, jemi të thirrur ta ndërtojmë jetën tonë mbi shkëmb që është Krishti, e jo mbi rërët lëvizëse e rrëshqitëse të modave e opinioneve të kohës…. Mbi rëndësinë e gjetjes së themeleve të vërteta, të sigurta e shëndosha të jetës, ta dëgjojmë porosinë e Krishtit në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga shën Mateu….
  **********
Dëgjues të ndëruar, siç dëgjuam nga leximet biblike të kësaj së diele, nuk mund të thuhet se Ungjilli nuk është i qartë e i kuptueshëm: kush e kryen vullentin e Zotit do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, kush bën keq e jeton në të keqën nuk do të hyjë në Mbretërinë e qiellit. Ky është një premtim i sakt shpëtimi e jo hamendje. Eshtë siguri e bindje sepse Zoti është besnik ndaj premtimeve të veta.
Kjo tashmë është një shpresa në zbatim e sipër sepse Krishti e ka shpëtuar botën ( leximi II):këte Ai e ka realizuar dhe e ka bërë falas, në sajë të dashurisë që ka ndaj nesh. Për dashuri Jezusi na ka liruar nga mëkati e nga vdekja e përjetshme. E ne jemi shëlbuar jo për meritën e veprave të mira që kemi bërë apo që do ti bëjmë, por në sajë të mirësisë së pakufishme të Zotit Atë, që ka na pajtuar me Të në Krishtin Jezus. Prandaj, akush nuk mund ta kërkojë e pretendojë shpëtimin duke e konsideruar si një të drejtë që i takon.
Mbretëria e qiellit ( shpëtimi) është për ata njerëz që e kërkojnë vullnetin e Zotit dhe atij i përmbahen çdo ditë me inteligjencë, me zemër, me vullnet e me vepra; ata njerëz që vullnetin e Zotin e zbatojnë me guxim dhe atë e mbajnë si thesar pranë vetes, “si varëse mes syve”, sikur pohoi leximi i parë nga Libri i Ligjit të përtërirë, që e dëgjuam.
Vullneti i Zotit është dashuri, e ta kryesh vullnetin e Zotit do të thotë të duash. Pa këtë bindje dashurie e bamirësie shtëpia e fesë rrëzohet e bëhët rrënim duke zbuluar fytyrën e rreme të besimtarit. Pra, pa dashuri njeriu nuk mund të realizohet, pa dashuri njeriu nuk mund ta zbulojë e ta takojë Zotin, pa dashuri njeriu as nuk mund ta shpëtojë jetën. Dashuria është udha e mënyra më e mirë për t’i dhënë kuptim e shije jetës e për t’i arritur kështu cakut përfundimtar të jetën në Zotin.
*********


Leximet biblike të kësaj së diele të 9-të gjatë vitit kishtar, na ofrojnë disa imazhe të dualitetit: udha e bekimit dhe e mallkimit, për çka foli leximi i parë, udha e mëkatit dhe e fesë, për çka foli leximi i dytë, ndërtimi mbi shkëmb e mbi rërë, për çka na foli Ungjilli i kësaj së diele.
Rrënja e këtyre simboleve është zgjedhja apo përcaktimi i njeriut, zgjedhja e bekimit, e fesë dhe e impenjimit për atë njeri që don të jetë e të jetojë me Zotin. “Tani, derisa ende kemi kohë dhe koha është e jona, le t’ia kushtojmë e dhurojmë veprat tona e mundimet tona të afërmit, e lavdin tonë Zotit “, na porosit Shën Katerina e Sienës.
Po ne e dijmë – dëgjues të nderuar – se Zoti nuk impohohet por na propozohet. Zoti nuk na e detyron por na ofron udhën e jetës. Ai e respkton lirinë tonë e këndej vendimet tona. Liria është dhuratë e madhe por edhe rrezik i madh mbi të cilën njeriu është i thirrur të realizohet. Kundër çdo tundimi të reduktimit të kësaj dhurate të lirisë, si duke e penguar apo duke e kushtëzuar atë edhe përmes të ashtu quajturit “për një qëllim të mirë”, Bibla na thërret ta resptojmë gjithmonë lirinë e çdo njeriu. Në anën tjetër ne duhet ta ndihmojnë njeriut të rritet në plotësinë e njohjes e të vullnetit kështu pastaj të mund të vendos e të marrë vendimet e veta në liri e më ndërgjegje të plotë. Duhet ta respektojmë lirinë e çdo personi edhe atëherë kur nuk pajtohemi me zgjedhjet e vendimet e tij duke imituar kështu durimin dhe optimizmin e Zotit, i cili pret me durim deri në çastin e fundit që njeriu ta kërkojë, madje ndoshta edhe duke kaluar përmes shtigjeve e udhëve absurde që pastaj më në fund në një farë mënyre e shpjejnë deri te takimi i tij me Zotin.
Kënga e fesë kryevepër e shën Palit që kemi në leximin e dytë është rimarrë nga shën Mateu me vizualizimin e fjalës hebraike të fesë, amen, që do të thotë “të ndërtosh, të bazohesh, të mbështetësh mbi” një shkëmb, mbi një themel të qëndrueshëm. Kur ne mbështetemi në fe e në dashuri ndaj Zoti, është e natyrshme pastaj që edhe veprat tona të jenë vërteta, të mira e përkim me fjalët e Hyjit e kështu çdo punë e gjest i yni të ndriçohet nga feja. Prandaj pranë edukimit në liri është e domosdoshme edukimi në fe.
Leximet biblike të kësaj së diele nënvizojnë edhe një aspekt negativ, atë të refuzimit. Në Besëlidhjen e Vjetër shiu i rrëmbyeshëm që bie kundër murit të ndërtuar prej profetërve të rrejshëm (Ez 13,9-14) është një simbol i gjykimit të Zotit. Pali apostull flet për privimin e lavdisë së Zotit që është errësirë, hidhërim e heshtje. Libri i Ligjit të përtërirë e sjell temën e mallkimit. Gjyqi i Zotit e fjala e tij e zbulojnë dhe nxjerrin në dritë brishtësinë e një jete e cila dukje është e suksesshme por para syve të Zotit është e zbrazët. Kështu fjalët e Jezusit që i dëgjuam më parë në Ungjill: “Jo secili që më thotë: O Zot, o Zot!” do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, na paralajmërojnë të mos mashtrohemi duke ecur pas vlerave të rreme, kalimtare, pas mësuesve që na joshin me premtime të sukseseve e të kënaqësive të përkohëshme por t’i përmbahemi udhës që Krishti na tregon e gjurmëve të tija të ecim, për ta realizuar jetën dhe gjetur kuptimin e vërtetë e përfundimtar të ekzistencës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.