2008-05-31 18:35:26

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(31.05.2008 RV) 31 maj: Zoja e Gudalupes, Maria në Botën e Re.
“More, po ç’është gjithë kjo trazirë?”. Ipeshkvi i Meksikos, Huan de Zamarraga nuk është mësuar të dëgjojë potere përjashta zyrës së tij. Është data 9 dhjetor e vitit 1531, një ditë si gjithë të tjerat…
“Një fshatar i varfër, rreth të pesëdhjetave, dëshiron të flasë me ju. Thotë se ka një punë tepër të rëndësishme”.
“Shoqëroje në studion time”, përgjigjet ipeshkvi i çuditur: “Flet spanjisht?”.
“As edhe një fjalë të vetme. Por ka me vete një përkthyes, që njeh dialektin e tij, nahuatl”.
Disa minuta më pas, Huan Diego, paksa i ndrojtur, por megjithatë, i qetë, i tregon ipeshkvit ç’i ka ndodhur. Po ecte rrëzë kodrës së Tepejakut, kur papritmas ndjeu një zë që e thërriste. U ngjit me vrap në majë, e… ç’të shikonte!
E priste një grua e re, e veshur me rreze dielli, e rrethuar me ylberë. Më quajti “Biri im” e më tha “Unë jam Maria, gjithmonë Virgjër, Nëna e Hyjit të vetëm e të vërtetë”. Pastaj më kërkoi t’i ndërtohet një Kishë në atë vend”.
Si dëgjoi tregimin, ipeshkvit iu desh ta përmbante veten, ndonëse Huan Diego nuk dukej aspak i marrë. E falënderoi që kishte ardhur ta takonte dhe i tha se kishte nevojë ta mendonte më thellë ngjarjen. Të nesërmen, Huan Diego u kthye rishtas: e kishte parë përsëri gruan e re, në të njëjtin vend.
“I thashë Zonjës se do të ishte mirë t’ia ngarkonte ndokujt tjetër këtë detyrë, ndonjë njeriu më të zgjuar, që t’i besojë edhe ipeshkvi. Po ajo m’u përgjigj: “Të takon ty, që je më i vogli nga bijtë e mi, të më shërbesh e t’ia tregosh ipeshkvit kërkesën time”.
Ipeshki u trondit thellë dhe i kërkoi indianit të kthehej me një provë, që do të dëshmonte se kjo histori ishte e vërtetë. Kisha nuk mund ta njohë dukjen e Zojës për një fjalë goje! Duke u rrezikuar të gabojë e të gënjejë mbarë botën e krishterë. Më 12 dhjetor Huan Diego kthehet me një tufë të mrekullueshme lulesh në dorë: ia ka dhënë Zoja për ipeshkvin. Lule në mes të dimrit? Rriteshin rreth Zojës...
Po ipeshkvi i shikon lulet me një vështrim të përhumbur: sytë e tij janë ngulur tek manteli i Huan Diegos, ku shihet misteriozisht, profili i një fytyre të gëzueshme gruaje. Tani bindet plotësisht e nis menjëherë ndërtimin e kishës: nuk mund ta lërë Zojën e Bekuar të presë. Shenjtërorja e re pagëzohet me emrin Zoja e Gudalupes, ashtu siç dëshironte Virgjëra.
Është hera e parë që Maria duket në Botën e Re, të zbuluar nga Kristofor Kolombi në vitin 1492, në të cilën krishtërimi sapo ka nisur të përhapet.







All the contents on this site are copyrighted ©.