2008-05-30 19:03:52

Dyshime mbi ndërtimin e centralit italian bërthamor në Shqipëri


(30.05.2008 RV)Propozimi për të ndërtuar centrale bërthamore në Shqipëri, propozim i bërë nga kryeministri i qeverisë së Tiranës, Sali Berisha, hapi debatin mbi energjinë atomike në Itali. Shqipërisë i duhen të paktën dhjetë vjet që të bëhet gati për investimet në këtë fushë, pasi akoma nuk ekziston as normativa ligjore. Nga ana e Italisë, është treguar e gatshme të bëjë investime për një central të mundshëm bërthamor Enel-i, që më 3 dhjetor të vitit të kaluar ka nënshkruar me qeverinë shqiptare marrëveshjen për realizimin e një termocentrali me karbon me fuqi 1.300 megavat. 30% e energjisë së prodhuar do të shkojë në tregun shqiptar, pjesa tjetër do të eksportohet. Shoqëri të tjera të interesuara janë A2A dhe Edison. Por dyshime të justifikuara shpreh presidenti i Universitetit të mirënjohur italian Bocconi, Mario Monti, i cili ka qenë edhe komisar evropian. Pavarësisht se në favor të zhvillimit të energjisë bërthamore, Monti vë në dukje se do të preferonte që një central për Italinë të ndërtohej në Francë, vend me tradita në këtë fushë, por jo në Shqipëri ku edhe kontrolli i autoriteteve publike nuk jep siguri.







All the contents on this site are copyrighted ©.