2008-05-30 18:29:13

Atë Federiko Lombardi në takimin vjetor të mediave katolike të Kanadasë dhe të SHBA-së: Papa nuk i lë mënjanë çështjet delikate dhe ka guximin të thotë të vërtetën.


(30.05.2008 RV)Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, edhe drejtor i Radios sonë e i Qendrës Televizive vatikanase, foli dje, në Toronto, gjatë takimit vjetor të mediave katolike të SHBA-së dhe të Kanadasë, për lidhjen e Papës me mjetet e komunikimit. Benedikti XVI – shpjegoi Atë Lombardi - nuk u shmanget çështjeve delikate dhe ka guximin të thotë të vërtetën.
Papa – theksoi drejtori ynë i përgjithshëm – e ndjek me interesim ndikimin e mesazhit të tij, jehonën e fjalimeve të tij. E, pas çdo shtegtimi apostolik ndërkombëtar, edhe Benedikti XVI, ashtu si Gjon Pali II, takohet, në Vatikan, me drejtuesit e mjeteve të komunikimit, për të kuptuar ç’është nënvizuar më shumë, si janë interpretuar fjalimet, me ç’sy i kanë lexuar mediat. Benedikti XVI – tha Atë Lombardi – përpiqet të kuptojë zhvillimin e komunikimit në botën e sotme, por pa u frikësuar, e aq më pak, pa u kushtëzuar nga ky zhvillim. Edhe ne, si komunikatorë – shtoi drejtori i Radio Vatikanit – nuk duhet të kushtëzohemi aq nga miti i një komunikimi që mendon se duhet të krijojë gjithnjë konflikte, për të qenë i suksesshëm. Duhet të jemi realistë e ta denoncojmë të keqen: e për këtë - pohoi Atë Lombardi – Benedikti XVI nuk pranon kompromise. Kritikon, pa asnjë ndrojtje, relativizmin, me bindjen se vihen në lojë vlera shumë të rëndësishme për njeriun, për shoqërinë e për ardhmërinë e saj. Këto parime themelore, Papa i kujtoi edhe në fjalimin drejtuar Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku Ati i Shenjtë nuk përdori fraza të bujshme, për të bërë sensacion. Për t’iu përgjigjur sfidave të komunikimit – nënvizoi Atë Lombardi – duhet të kemi guxim ta themi qartë të vërtetën, të kemi besim në arsyen e durim për të komunikuar mesazhe të forta. Sepse rruga më e mirë – vërejti drejtori i emitentes sonë – është ajo që di të largohet njëkohësisht si nga optimizmi foshnjor, ashtu edhe nga pesimizmi i plotë, i cili nuk beson në praninë e në fuqinë e veprës së hirit. Benedikti XVI – përfundoi Atë Lombardi – nuk është më vetëm mësues i madh; është gjithnjë më shumë edhe bari i një humanizmi që të bën për vete; ne, si komunikatorë, na takon ta vlerësojmë e t’i vemë gjithnjë më shumë në dukje këto aspekte, të cilat figura e mëparshme, tejet e pjesshme, e personalitetit të tij, i linte në hije.







All the contents on this site are copyrighted ©.