2008-05-29 18:51:24

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(29.05.2008 RV)RealAudioMP3 29 maj: Françeskanët themelojnë bankën e pengjeve në ndihmë të të varfërve.
Atë Bernardini është në kulmin e zemërimit. E ka me dy soje njerëzish: me fajdexhinjtë e me domenikanët.
Fajdexhinjtë janë bankierë, që pasurohen duke shfrytëzuar mjerimin e njerëzve. Kur një familje e të varfër ka nevojë për para, në këtë epokë, aty nga fundi i shekullit XV, nuk gjen rrugë tjetër: i duhet të shkojë tek fajdexhiu, i cili ia jep menjëherë huanë e kërkuar. Por huaja duhet kthyer, duke i shtuar shuma marramendëse, që nisën të quhen me një emër shumë të çuditshëm e, të frikshëm: “interes”. Po marrim vetëm një shembull. Në se fajdexhiu i huan një familjeje njëqind lekë, ajo duhet t’i kthejë njëqind e dyzet. Për më tepër, në çastin kur fajdexhiu e jep huan, kërkon t’i lihet diçka e çmuar si peng. Për njëqind lekë, kërkon një stoli që vlen shumë më tepër. Në se familja nuk mund ta shlyejë borxhin në kohën e caktuar, fajdexhiu e mba për vete stolinë.
Tashti kuptohet fare mirë ç’përfaqësonte fajdeja në Evropën e kohës. Ishte një sistem i tmerrshëm, shkatrrimtar. Rrallë herë të varfërit arrinin ta shlyenin borxhin në kohën e duhur e kjo i çonte në rrënim të plotë.
Prandaj Bernardini nuk mund t’i durojë më fajdexhinjtë. Mirë këta, po domenikanët ç’i kanë bërë? Atij, që është françeskan? Dy urdhërat rregulltare duhet të merreshin vesh mirë njëri me tjetrin: dy themeluesit përkatës, Domeniku e Françesku, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Si françeskanët, ashtu edhe domenikanët, jetojnë në varfëri e në lutje. Atëhere pse Bernardini zemërohet kaq shumë, kur kujton vëllezërit në fe? Sepse françeskanëve sapo u ka lindur një ide e shkëlqyer, për t’iu kundërvënë pushtetit të fajdexhinjve: duan të themelojnë një lloj banke krejt të re. Kjo bankë do të japë hua me interes tepër të ultë. Në se merr hua njëqind lekë, duhet të kthesh njëqind e pesë, në vend të njëqind e dyzetëve, që kërkojnë fajdexhinjtë. Puna është se domenikanëve u duken shumë edhe këta pesë lekë e akuzojnë françeskanët se po i vjedhin të varfërit. Bernardini e ndjen veten tejet të fyer nga kjo akuzë. Vjedhin të varfërit!? E ç’ fitojnë? Françeskanët e kanë të ndaluar edhe ta prekin paranë. E ka shkruar vetë Françesku në Rregullën e Urdhërit. Por pa para s’mund të ngrihet banka, sepse duhen paguar njerëzit që do ta drejtojnë: e pikërisht për këtë do të shërbejnë interesat e ulta. Ndërsa domenikanët, pa pikë turpi, e kritikojnë këtë plan kaq bamirës!
Në vitin 1515 Papa u jep fund grindjeve, duke miratuar shpikjen e bankave françeskane, që u krijojnë, më në fund, të varfërve, mundësitë për të marrë hua me kushte të ndershme.







All the contents on this site are copyrighted ©.