Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, kushtuar Gregorit të Madh: “Zoti është
burimi i vërtetë i shpresës dhe i paqes”.
(28.05.2008 RV)“Papë i madh e Dijetar
i madh i Kishës”: kështu e kujtoi Benedikti XVI Shën Gregorin e Madh, ipeshkëv i Romës
ndërmjet viteve 590 e 604, të cilit i kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme.
Para mijëra besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë nënvizoi
posaçërisht aktualitetin e mësimeve të Shën Gregorit, papë guximtar e i urtë, paqëtues
i shpirtërave, ngushëllues i varfanjakëve, bari i besimtarëve. Njeri që ishte bërë
një me Zotin, e pikërisht për këtë arsye, ishte gjithnjë pranë njeriut, pranë të gjithë
nevojtarëve të kohës së vet”. Kështu e sintetizoi Papa figurën e jashtëzakonshme të
paraardhësit të tij, Gregorit të Madh, njeriut që – sipas Benediktit XVI - kishte
etje të pashuar për praninë e Hyjit, të cilin e ndjente deri në thelb të shpirtit.
Më pas Benedikti XVI vuri theksin mbi aktualitetin e shembullit të Shën Gregorit: “Në
një kohë tepër të vështirë, madje të dëshpëruar, diti të sjellë paqe e të japë shpresë.
Ky njeri i Hyjit na tregon se ku mund të gjinden burimet e vërteta të paqes, na mëson
prej nga vjen shpresa e vërtetë, prandaj mund të themi me plot gojën se edhe sot e
kësaj dite mbetet prijës për ne”. Gregori – vijoi të kujtonte Papa – lindi
në Romë rreth vitit 540, në gjirin e një familjeje patrice të Aniçies, që shquhej
për lidhjen e ngushtë me fenë dhe për shërbimet që i bënte Selisë Apostolike. Edukatën
e parë të krishterë e mori nga prindërit e tij shembullorë, Jordani e Silvia, që të
dy të nderuar si shenjtorë. Gregori – shpjegoi Papa – nisi karrierën administrative
dhe shumë shpejt arriti të bëhej prefekt i qytetit të Romës. U mor me probleme administrative
të të gjitha llojeve, që do ta ndihmonin shumë për të kryer detyrat e së ardhmes.
Nga kjo përvojë, fitoi një ndjenjë të thellë rregulli e disipline: “Kur u bë
papë, i këshilloi ipeshkvijtë të merrnin si model, në drejtimin e punëve kishtare,
pikërisht funksionarët civilë, plot zell e respekt ndaj ligjeve”. Por duhet
thënë se një jetë e tillë nuk e kënaqte fare. Prandaj vendosi të hiqte dorë prej saj
e të bëhej murg. Kaloi kështu një periudhë të qetë, duke iu kushtuar plotësisht njohjes
së thellë të Shkrimit Shenjt, me të cilin do të mbetej gjithnjë i lidhur me njëmijë
fije, të dukshme e të padukshme. Qe për të kohë e lumtur e takimit me Hyjin, e lutjes,
e zhytjes së plotë në studim. Por as jeta murgare e Gregorit nuk zgjati shumë, sepse
Papa Pelagji e emëroi ambasador në Kostandinopojë, për t’i dhënë fund grindjeve monofizite
e sidomos, për të siguruar mbështetjen e perandorit në përpjekjen për frenimin e presionit
të longobardëve. Por pas disa vjetësh u thirr rishtas në Romë. U kthye, në sa qyteti
kalonte kohë të tmerrshme, i sulmuar së pari nga uria e më pas edhe nga murtaja. Vdekja
endej lirisht udhëve të Romës, duke lënë pas qindra kufoma njerëzish të të gjitha
moshave, ndërmjet të cilave, edhe Papa Pelagji II. Kleri e populli e zgjodhën njëzëri
Gregorin si pasardhës të tij. Ai nuk deshi ta pranonte këtë detyrë kaq impenjative,
madje deshi të ikte, por më në fund u dorëzua. Ishte viti 590. Papa i ri iu vumenjëherë, plot zell, punës: “Që në fillim u pa qartë se ai e njihte mirë
realitetin, në të cilin duhet të punonte, se kishte aftësi të jashtëzakonshme për
të përballuar si çështjet kishtare, ashtu edhe ato civile. E jo më pak, edhe drejtpeshim
të përhershëm në marrjen e vendimeve të guximshme, që ia impononte detyra”. Nga
papnia e Gregorit të Madh - shpjegoi Benedikti XVI – na ka mbetur një pasuri e tërë
dokumentesh, falë Regjistrit të Letrave, në të cilin pasqyrohen të gjitha problemet
të ndërlikuara të përditshme, që prisnin zgjidhje në tryezën e tij të punës. E problemi
më i ngutshëm në Romën e Italinë e asokohshme, ishte çështja longobarde, së cilës
Gregori i kushtoi gjithë energjitë e veta. Papa Gregori i Madh – theksoi Benedikti
XVI – ishte njeri i madh i paqes. “Në ndryshim nga perandori bizantin, që mendonte
se longobardët s’ishin tjetër, veçse një turmë me njerëz të pagdhendur e grabitçarë,
të cilët duheshin shpartalluar e shfarosur, ai i shikonte me sytë e bariut të mirë,
që dëshironte t’ua kumtonte dhe atyre fjalën e shëlbimit, duke lidhur me ta, marrëdhënie
vëllazërore”. Falë aftësive prej diplomati të urtë, Papa Gregori arriti të
merrej vesh me mbretin longobard Agjilulfin, duke siguruar armëpushimin e qëndrueshëm.
Ky rezultat kaq pozitiv, u arrit edhe në sajë të lidhjeve të tij me mbretëreshën Teodolina,
bavareze e katolike. Kjo ngjarje shënoi një kapitull të rëndësishëm, që flet për
rolin e grave në Kishë. Përkrah përpjekjeve për sigurimin e paqes dhe për ungjillëzimin
e longobardëve – vijoi Papa – Gregori qe edhe protagonist aktiv i një veprimtarie
të gjithanshme shoqërore: ngushëlloi nevojtarët, ndihmoi rregulltarët, pagoi shuma
të mëdha për çlirimin e romakëve të zënë rob nga longobardët: “Përveç kësaj,
zhvilloi, si në Romë, ashtu edhe në të gjithë Italinë, një veprimtari të shquar administrative,
duke dhënë udhëzime të sakta që pasuritë e Kishës, të nevojshme për jetesën dhe për
veprimtarinë e tij ungjillëzuese në botë, të mbarështoheshin me ndershmëri abosolute,
me drejtësi e mëshirë”. Gjithë këtë veprimtari, Gregori e zhvilloi pa e marrë
fare parasysh se ishte shëndetlig, prandaj shpesh, për shkak të zërit të dobët, homelitë
e tij i shqiptonte një diakon. “Lavdi Zotit, sot kemi mikrofonin!” vërejti
më pas Papa, i cili gjatë përshëndetjeve, në përfundim të audiencës, kujtoi posaçërisht
Mësueset e Përshpirtshme Filipini, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i
nxitur të përballojnë emergjencën edukative në qytetin e Romës, që është zemra e krishterimit.
Më pas kujtoi edhe se maji po i afrohet fundit, prandaj iu lut Zojës të na ndihmojë
për të shtegtuar plot gëzim e shpresë drejt Atdheut të amshuar.