2008-05-28 18:50:08

Amnesty International: Në Shqipëri nuk respektohen të drejtat e njeriut


(28.05.2008 RV)61 janë vendet ku akoma ushtrohet tortura, 54 ato ku proceset gjyqësore janë të dyshimta e në 77 vende nuk lejohet liria e shprehjes. Në 60-vjetorin e deklaratës universale të të drejtave të njeriut, organizata Amnesti Interneshënëll paraqet raportin e saj vjetor duke u kërkuar të gjitha qeverive, sidomos atyre të vendeve të fuqishme, të kërkojnë falje dhe të veprojnë shpejt, pasi lufta për respektimin e të drejtave të njeriut akoma është në fillimet e saj.
Në shënjestër të organizatës edhe Shqipëria. Në kuadrin e një bote, që bën hapa mbrapa përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke u justifikuar me luftën kundër terrorizmit e me arritjen e sigurisë, së paraqitur si mirazh, Shqipëria i mbron tepër pak fëmijët dhe femrat nga trafikët e paligjshëm, e lejon policinë të keqtrajtojë të burgosurit dhe nuk miraton ligjet e duhura. Si pasojë, populli shqiptar ka shumë pak besim në sistemin gjyqësor.
Por ja disa nga shifrat. Një e treta e grave shqiptare ankohen për keqtrajtim në ambientin familjar, krim i cili nuk ndiqet penalisht, por përmbahet vetëm në Kodin Civil. Sipas Amnesty International, zyrtarisht është zvogëluar numri i viktimave të trafikut të paligjshëm të grave dhe fëmijëve, por organizata vë në dukje se shpesh viktimat nuk i denoncojnë trafikantët, për shkak të kërcënimeve. Të burgosurit, në tetor të vitit të kaluar ishin 4638 vetë, 1172 mbi kapacitetin. Shumë prej tyre janë kthyer në dhomat e paraburgimit, duke rrezikuar kështu sigurinë. Të burgosurit e sëmurë mbahen sëbashku me të tjerët. Puna për një spital ka filluar në gusht në Durrës, por akoma nuk ka përfunduar. Sëbashku me të burgosurit e tjerë mbahen edhe të rinjtë e moshës 14-17 vjeç, në kundërshtim me ligjin. Pavarësisht se në burg ekziston tortura dhe keqtrajtimi, asnjë polic nuk është dënuar për këtë, për mungesa të ligjit përkatës.
Rreth 45 mijë familje janë regjistruar si të pastreha. Ndërmjet tyre edhe 340 jetimë. Në kundërshtim me ligjin, qeveria nuk është në gjendje t’i pajisë jetimët me shtëpi, kur arrijnë moshën madhore dhe përfundojnë shkollën e mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.