2008-05-28 18:57:57

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(28.05.2008 RV)28 maj: Mikelanxhelo pikturon tavanin e Kapelës Sikstine.
Romë, 1513. “Ja, më në fund u krye. Tani mund të bëhem rishtas skulptor…” Mendon Mikelanxhelo, ndërsa thadron me çekan një bllok të madh mermeri të bardhë. Pluhuri ngrihet përpjetë si re e pastaj i bie ngadalë mbi flokë, si të ishte dëborë, duke i kujtuar sa ka ngrirë pesë dimra me radhë, duke pikturuar tavanin e Kapelës Sikstine për papën zemrak, Julin II.
Mikelanxhelo vë buzën në gaz; një gaz i vrerosur: në këtë çast Juli II duhet të jetë duke bekuar Kapelën, i rrethuar nga përcjellësit e nga këshilltarët e tij, ndërsa ai, njeriu që e pikturoi, mungon! Jo, Papa nuk mund ta durojë praninë e tij. Ndërsa ai nuk do ta harrojë kurrë trajtimin që iu bë, vetëm sepse nuk mund të pikturonte aq shpejt, sa pritej prej tij. E të mendosh se kalonte shtatëmbëdhjetë orë në ditë mbi një skelë të ngushtë, pa zbritur as një minut, për të mos humbur përqendrimin! Juli II e kishte lejuar ta zgjidhte vetë temën biblike, që do të pikturonte mbi tavanin e Kapelës e Mikelanxhelo vendosi të pikturojë librat e parë të Biblës: Krijimin e botës, Zotin duke i dhuruar jetën Adamit e Evës, mëkatin e zanafillës, përmbytjen universale e edhe profetët.
E Juli II nuk u zhgënjye: “Biri im, jam shumë i kënaqur prej teje” – i pati thënë. “Në se Hyji është kaq zemërbutë, sa e ke paraqitur ti, jam i sigurtë se do të m’i falë të gjitha mëkatet”.
Në fytyrën e artistit riduket buzëqeshja e hidhur. E të mendosh se të gjithë vijojnë ta marrin nëpër gojë… Ai, që e lexoi e e rilexoi pa mbarim Biblën, duke u zhytur në të ditë për ditë, për ta paraqitur në pikturë përsosurinë e Hyjit e të krijimit të Parajsës së tij, është në qendër të shkandullit, sepse të gjitha personazhet e pikturuara janë lakuriq. Po Mikelanxhelo nuk deshi t’i shokojë kaq shumë shikuesit. Deshi vetëm të kremtojë bukurinë e krijimit, duke pikturuar bukurinë e trupit. E për t’u kujtuar të gjithëve se njeriu u krijua sipas shembëlltyrës së Hyjit, mendoi ta pikturojë edhe vetë Zotin fare të zhveshur. Ndërsa për të shpjeguar se mëkati e përçudnon njeriun, në skenën e mëkatit të zanafillës, paraqet trupa të shpërfytyruar, që e kanë humbur shkëlqimin e tyre të parë.
Por lakuriqësia është tabu, prandaj nuk do t’ia falin kurrë ata trupa të lakuriqtë.
Disa vjet më vonë, kur jetonte ditët e fundit, mori vesh, me hidhërim të papërshkrueshëm, se mbi trupat e tij po pikturonin vela.
Por kur Kapela Sikstine do të restaurohej në shekullin XX, Gjon Pali II do ta bekonte e do të pranonte se ‘është shenjtërorja e teologjisë së trupit njerëzor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.