2008-05-27 18:32:19

Dita e parë për presidentin e Libanit, Sulejman. Intervistë me imzot Bekara Raji


(27.05.2008 RV)RealAudioMP3 U zhvillua dje ceremonia e marrjes së detyrës për presidentin e ri të Libanit, Mishel Sulejman, zgjedhja e të cilit pati edhe mbështetjen e Hezbollahëve. Në fjalimin e tij të parë, kreu i Shtetit nënvizoi nevojën e pajtimit kombëtar dhe përvijoi linjat e zhvillimit të ardhshëm të vendit, duke kërkuar bashkëpunimin e të gjitha forcave politike libaneze. Pavarësisht nga përfundimi i krizës, që e la vendin për 18 muaj pa president dhe e çoi gati në luftë civile, mbeten shumë probleme të tjera për t’u zgjidhur. Të dëgjojmë komentin e imzot Békara Raji, ipeshkëv i Biblosit të Maronitëve:
Nuk është zgjidhur akoma problemi i mazhorancës dhe i opozitës, pra problemi i konfliktit ndërmjet sunitëve dhe shiitëve, megjithëse ky është një konflikt i krejt Lindjes së Mesme, që ka ndikimin e vet në Liban. Prandaj, mbetet shumë për të bërë në vendet arabe për zgjidhjen e krizës politike të Libanit. Problemi i dytë ka të bëjë me armët e hezbollahëve; i treti, me formimin e qeverisë. Pastaj, është problemi i jashtëzakonshëm i borxheve financiare nën presionin e të cilave, Libani nuk ia del dot më; së fundi, problem është edhe hemoragjia e të rinjve që ikin nga vendi. Të gjitha këto janë probleme shumë urgjente për presidentin e ri, shpresojmë se do të arrijë ta mbajë kryqin e vet e ta çojë përpara vendin. Sigurisht, që nuk do ta mbajë vetëm ai, këtë kryq, por të gjithë ne libanezët. Edhe Kisha duhet të bëjë një punë të madhe për pajtimin e Libanit.
Mishel Sulejman ka qenë në krye të ushtrisë libaneze. Një ushtarak fiton konsensusin e të gjitha forcave politike…
Në fakt, ai ka fituar konsensusin ndërkombëtar, rajonal e të brendshëm pikërisht për qëndrimin e tij neutral, jo vetëm gjatë kohëve të fundit, por që kur mori në dorë kryesinë e ushtrisë libaneze – që prej nëntë vjetësh. Presidenti ka ditur të ndërmjetësojë, nuk ka marrë kurrë anën e ndonjërës prej palëve, ka ditur të veprojë me mençuri edhe gjatë ngjarjeve, që e kanë sprovuar ushtrinë. Pikërisht ushtria mund të ndahet shumë lehtë, sepse përbëhet nga myslimanë sunitë e shiitë.







All the contents on this site are copyrighted ©.