2008-05-27 16:57:42

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(27.05.2008 RV) 27 maj: Izabela, Katolikja dhe perëndimi i Kristofor Kolombit
Tetor 1500. Një turmë njerëzish mblidhet para pallatit të Izabelës, mbretëreshës së Spanjës, që njihet me epitetin Katolikja. Janë hapur ca fjalë të çuditshme. Përshpëritet se Kristofor Kolombi, detari guximtar që më 1492 kaloi i pari Oqeanin Atlantik dhe zbuloi Botën e Re, është zvarrisur këtu, i lidhur me zinxhirë, si të ishte ndonjë cub, gjë që duket krejt e pabesueshme. Kolombi tashmë është njeri i shquar. Mbretëresha e ka rrethuar me privilegje që në fillim të këtij zbulimi të jashtëzakonshëm. Ajo vetë ia ka dhënë paratë e nevojshme për të ndërmarrë udhëtimin, që do ta çonte në skajin tjetër të botës. Kur zbarkoi në Amerikë Kristofor Kolombi i vuri tokat e reja nën mbrojtjen e Spanjës, prandaj Izabela u shpall menjëherë edhe mbretëreshë e Amerikave. Nga ana e saj, Izabela u kujdes ta njihte Kolombin si zëvendës-mbret, duke i dhënë kështu pushtet të plotë për qeverisjen e këtyre tokave.
E sot mbretëresha na e paska pritur, siç pritet një kriminel? E pamundur!
Kureshtarët bëjnë pyetje pas pyetjesh, që mbetën pa përgjigje. Kush e di të vërtetën? Rojet e Pallatit? Kot sa t’i pyesësh, sepse janë më të heshtur se peshqit.
Por në këtë botë s’ka gjë që të mos dalë në dritë. Kolombi ngarkohet me zinxhirë, për shkak të sjelljes së tij të padenjë në Amerikë. Kur e emëroi zevendës-mbret, Izabela i dha porosi të sakta si t’i qeveriste vendasit, të cilët u quajtën indianë, nga që Kolombi besonte se kishte gjetur rrugën më të shkurtër për në Indi. Me që Izabela është thellësisht e krishterë, jep urdhër të trajtohen mirë, me dashuri, në mënyrë që me ta të krijohen marrëdhënie sa më të përzemërta. Këto janë fjalët e saj pikë për pikë. Ndërsa Kolombi, duke dashur të pasurohet, nis t’i shesë indianët lëkurëkuq si skllevër në Evropë…. Një ta marrë vesh këtë shkandull, Izabela e urdhëron zevendës-mbretin të bëjë gati anijet e t’i rikthejë menjëherë në atdhe skllevërit e parë, që hynë në Spanjë. Kujtoi se kjo do t’i mjaftonte. Por, me sa duket, Kolombi e bën veshin të shurdhër. Pikërisht ai që kishte marrë mbi vete ta çonte Krishtin në Amerikë, vijon fshehurazi tregtinë e skllevërve.Mbretëresha, e tronditur thellë, e kthen Kolombin në Spanjë, të ngarkuar me zinxhirë, si të ishte një kopuk dosido. Jeta e zbuluesit të madh është në rrezik, sepse Izabela ka dhënë urdhër që tregtarët e skllevërve të dënohen me vdekje. Kureshtarët e mbledhur nën dritaret e pallatit më në fund marrin vesh se Kristofor Kolombi është falur. Por ka humbur misionin për të përhapur Krishtin në Amerikë, e me këtë, ka humbur gjithçka.







All the contents on this site are copyrighted ©.