2008-05-26 16:00:55

Shqiptarët në Gjencan për të nderuar Zojën e Këshillit të Mirë


(26.05.2008 RV)RealAudioMP3 E mbushur plot e përplot me shqiptarë të ardhur nga e gjithë Italia, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan ishte e fundit që priti ipeshkvijtë e Shqipërisë, në përfundim të vizitës së tyre “ad Limina Apostolorum” në Vatikan.
Shtegtimi tradicional i shqiptarëve te Zoja pra, këtë vit ishte i veçantë, sepse Mesha e Shenjtë u kremtua nga 5 ipeshkvij, të kryesuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Rrok Mirdita dhe nga shumë meshtarë të tjerë të pranishëm.
----
Merrni pjesë në Sakramente – u tha imzot Mirdita emigrantëve, duke u kujtuar se në Itali nuk mungojnë kishat. Pavarësisht se të shpërndarë në të katërt anët e vendit, shqiptarët mund të bashkohen në një familje të vetme, sepse nëse e jetojnë katolicizmin, ushqehen me të njëjtën Bukë, që është Krishti.
5 të rinj morën Sakramentin e Krezmimit e të Kungimit të Parë, pas një përgatitjeje të kryer nga murgesha shqiptare në Itali. Ja dy fjalë prej tyre:RealAudioMP3

Emigrantët shqiptarë janë tashmë integruar mirë në territorin italian. Takimi i përvitshëm në Gjenacan, në të dielën e fundit të muajit maj, është bërë një traditë, që përsëritet çdo vit. Në ndryshim nga 15 vjet më parë, shqiptarët vijnë tani me makinat e tyre, pa pasur nevojën e autobuzit, e vijnë edhe sëbashku me familjet, me fëmijët e lindur në Itali, të cilët e mbushën kishën me zërat e tyre të gëzueshëm, shenjë e përmirësimit të jetës së çdo emigranti. Por, për formimin e tyre shpirtëror mund të bëhet më shumë, edhe nga ana e ipeshkvijve, siç na shpjegon don Paskuale Ferraro, Koordinatori pastoral për shqiptarët në Itali:RealAudioMP3

Pas përfundimit të Meshës Shenjte në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan, emigrantët u mblodhën sëbashku për të festuar në lulishten e vendit. Edhe pikniku e këngët e vallet shqiptare janë bërë tashmë traditë, për kënaqësinë e banorëve, të cilët gjithnjë u japin shqiptarëve mundësinë të lidhin në rrjet instrumentat muzikore e ndalen shpesh për të biseduar me ta për Zojën e Shkodrës, që është edhe e Gjencanit. I kërkuam së fundi, të përmbledhë emocionet e kësaj dite e të krejt vizitës “ad Limina” të ipeshkvijve, pikërisht kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore, imzot Rrok Mirdita:RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.