Papa në Engjëllin e Tënzot i lutet Zojës t’i ndihmojë dëshmitarët e fesë në Kinë dhe
nxit bashkësinë ndërkombëtare të thellojë përpjekjet kundër urisë.
(26.05.2008 RV)Në lutjen e Engjëllit
të Tënzot, Papa uroi që festa e Korpit të Krishtit, që kremtohej dje në Itali e në
shumë vende të tjera, t’i nxisë të krishterët të tregohen më të vëmendshëm ndaj vëllezërve,
sidomos ndaj atyre që janë më të varfër. Ndërmjet shuplakave që godasin botën, Ati
i Shenjtë vuri theksin mbi dramën e urisë, problem të cilin bashkësia ndërkombëtare
mundohet shumë për ta zgjidhë. Benedikti XVI iu lut Marisë, Ndihma e të krishterëve,
Zojës së Sheshanit, t’i mbështesë dëshmitë e fesë të të krishterëve në Kinë. “Ju
përshëndes me gjithë zemër!”. Me këto fjalë të ngrohta, në gjuhën kineze, Papa iu
drejtua shtegtarëve të ardhur në Romë nga e gjithë Italia, me rastin e Ditës botërore
të lutjes për Kishën në Kinë, që u kremtua të shtunën e kaluar, në ditën e kujtimit
liturgjik të Zojës Ndihmëtare. Shtegtarëve kinezë Papa iu drejtua me këto fjalë: “Së
bashku me ju, i lutem Marisë, Ndihma e të krishterëve, Zojës sonë të Sheshanit, t’i
ndihmojë të gjithë ata që në Kinë, në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të
shpresojnë e të duan, të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin
e Jezusit për botën, duke mbetur gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie
e të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”. Ati
i Shenjtë ia besoj dashurisë së Zotit të mëshirshëm edhe të gjithë ata që vdiqën këto
ditë për shkak të tërmetit, i cili dëmtoi rëndë një zonë shumë të gjërë të Kinës: “Përsëris
se jam personalisht pranë të gjithë atyre që po jetojnë orë plot ankth e tronditje.
Uroj që, falë solidaritetit vëllazëror të të gjithëve, popullsitë e kësaj zone të
kthehen sa më shpejt në jetën e përditshme normale”. Në lutjen e Engjëllit
të Tënzot, Papa kujtoi se dje kremtohej solemniteti i Korpit e i Gjakut të Krishtit,
që në Vatikan e në disa vende të tjera, u kremtua të enjten e kaluar. “Eshtë festa
e Eukaristisë, dhuratë e mrekullueshme e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame – pohoi
Papa – deshi të na linte kujtimin e Pashkëve të tij, sakramentin e Korpit e të Gjakut
të vet, si peng i dashurisë së pakufishme për ne. Eukaristia – shtoi Benedikti XVI
– është shkollë e dashurisë dhe e solidaritetit: “Kush ushqehet me Bukën e Krishtit,
nuk mund të qëndrojë indiferent para atij të cilit, në ditët tona, i mungon buka e
përditshme. Shumë prindër e sigurojnë me mundime të mëdha, për vete e për fëmijët
e tyre. Eshtë problem gjithnjë më i vështirë, që bashkësia ndërkombëtare mundohet
shumë për ta zgjidhur”. Kur Jezusi nisi t’u predikonte turmave – shpjegoi Papa
– u tregoi se Ati e kishte dërguar në botë si ‘bukë e gjallë e zbritur nga qielli’,
si ‘bukë e jetës’: “Kisha jo vetëm lutet “na e jep sot bukën tonë të përditshme’,
por sipas shembullit të Zotit të vet, përpiqet me të gjitha mënyrat ‘t’i shumëzojë
pesë bukët e dy peshqit’ me nisma të panumërta në ndihmë të zhvillimit njerëzor e
të ndarjes së përbashkët, që askujt të mos i mungojnë gjërat e nevojshme për jetesën”. Në
përfundim Papa përshëndeti grupet e ndryshme të shtegtarëve si dhe ata që, me rastin
e Ditës italiane të lehtësimit të dhimbjes, ishin mbledhur pranë Poliklinikës Gjemeli,
për t’u shprehur solidaritetin njerëzve me sëmundje të pashërueshme.