2008-05-26 17:08:42

Filloi sot në Vatikan vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Mianmarit. Dje Konferenca e donatorëve në Jangoon caktoi 100 milionë dollarë për viktimat e ciklonit Nargis.


(26.05.2008 RV)Filloi sot paradite e do të vijojë deri të shunën e ardhshme vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Mianmarit në Vatikan. Benedikti XVI priti sot pesë ipeshkvijtë e parë të vendit, që kohët e fundit zë faqet e para në kronika, për shkak të katastrofës humanitare, shkaktuar nga cikloni Nargis. Sipas të dhënave të OKB-së, pasojat e ciklonit janë vërtetë tragjike: 30 mijë të vdekur e 2 milionë të pa strehë.
E ndërsa në Jangoon, Konferenca e vendeve donatore jep konkretisht ndihmesën e vet për lehtësimin e pasojave të tragjedisë, duke caktuar 100 milionë dollarë për viktimat e ciklonit, ipeshkvijtë e ish-Birmanisë nisën takimet me Papën e Kurien Romake, për t’i njohur me realitetin e Kishës vendase, që numëron një pakicë katolikësh, në një vend tradicionalisht budist.
Gjithsejt 630 mijë katolikë. Një bashkësi e vogël, ndërmjet 45 milionë budistëve, që e jeton fenë e vet nën mbikqyrjen e rreptë të autoriteteve ushtarake në fuqi. Por kjo nuk e pakëson gjallërinë e kësaj Kishe, themeluar nga misionarët portugezë që në shekullin XVI. Ndërsa hjerakia, që nisi veprimtarinë e saj nga viti 1955, shquhet për veprimtarinë ungjillëzuese, e cila mbështetet edhe nga Radio Veritas, emitente katolike e Federatës episkopale të Azisë, me seli në Manila të Filipineve, që transmeton edhe në gjuhën birmane e ndiqet me interes të madh, posaçërisht në zonat fshatare të shtetit të vogël aziatik.
Kalimi i ciklonit Nargis ndërmjet 2 e 3 majit, i dha fund izolimit të imponuar që më 1962 nga forcat ushtarake, me pasoja shumë të rënda mbi jetën e Kishës katolike së cilës, përveç ndërtesave të kultit, iu shtetëzuan edhe qëndrat për mjekimin e të gërbulurve, spitalet dhe të gjitha veprat e tjera, ndërsa 239 misionarë, që ishin tharm i ungjillëzimit në vend, u dëbuan. 188 priftërinjtë dioqezanë dhe 60 misionarët e huaj, të cilët mbetën pranë grigjës së besimtarëve, jetojnë me shpresën që një ditë Papa të shkelë edhe në trojet e tyre. Ipeshkvijtë birmanë janë takuar me Gjon Palin II, por jashtë vendit.
Në muajt e parë të këtij viti, Benedikti XVI pati mundësi të flasë disa herë për Mianmarin, për situatën politike e atë humanitare në vend.
Në audiencën e përgjithme të 7 majit të kaluar, nga Sheshi i Shën Pjetrit, mendimi i Papës shkoi tepër larg, në vendin aziatik, ku mbretërojnë vdekja e shkatërrimi. Ati i Shenjtë përsëriti mesazhin e solidaritetit, drejtuar kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Mianmarit, duke ia drejtuar edhe zemrës së çdo njeriu vullnetmirë:
“Bëj timen britmën e dhimbjes, britmë e njerëzve që kërkojnë ndihmë, drejtuar sot botës nga popullsia e Mianmarit, e cila papritmas pa të rrënuara nga forca shkatërrimtare e ciklonit Nargis, jetë të panumërta, pasuri e gjithçka duhet për jetesën e përditshme. Dëshiroj t’i ftoj të gjithë ta hapin zemrën me mëshirë e bujari që, në sajë të bashkëpunimit të atyre që mund e duan të japin ndihmë, të lehtësohen vuajtjet e shkaktuara nga kjo tragjedi e përbindshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.