365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(26.05.2008 RV)26 maj: Françesku i Paolës, njeriu që i dha paqen mbretit. “Nuk
kam të bëj fare me mbretërinë e Francës!”. Fjalët e Françeskut bien si gurë të rëndë
në heshtjen e thellë. Është përgjigja që i jep mbretit francez, Luigjit XI, i cili
e fton të shkojë e të jetojë pranë tij. Përgjigjja e Françeskut nuk është përbuzëse.
Ndjehet në të vetëm një ngjyrim i lehtë zemërimi. E di fare mirë ç’e shtyn Luigjin
XI të interesohet kaq shumë për të. Në vitin 1430, në moshën dyzet vjeçare, Françesku
nis të jetojë si vetmitar, për t’i shërbyer Zotit në heshtje të plotë. Por fama e
shenjtërisë së vetmitarit përhapet me shpejtësinë e vetëtimës e njerëzit ngarendin
nga mbarë bota në vendlindjen e tij, në Paola të Kalabrisë, për të parë kasollen
ku jeton. Me hirin e Hyjit, Françesku shëron shumë të sëmurë. E kur një murg bën mrekulli,
ta pret mendja se lajmi merr sakaq dhenë… Kështu, shumë shpejt, shkon edhe në vesh
të mbretit. Tashti, Luigji XI është i sëmurë. Mendimi se do të vdesë, e tmerron. Françesku
e di se mbreti nuk e fton thjeshtë sepse i pëlqen ta ketë pranë, pa kurrfarë interesi.
As sepse i ka hipur në kokë të ketë edhe një murg në oborrin mbretëror. E fton me
shpresë se do të bëjë mrekulli… Po Françesku nuk e ka fare ndër mend t’ia plotësojë
këtë dëshirë egoiste. Jemi në vitin 1481 e, megjithëse i ka mbushur gjashtëdhjetë
e pesë vjet, ka ende shumë për të bërë në Itali. Vijon veprimtarinë për të themeluar
disa kuvende, me që shumë të rinj duan të ecin në gjurmët e tij e prandaj e ndjekin
kudo. Françesku themelon kështu Urdhërin e Vëllezërve Minimi, emër i përvujtë, që
do të thotë “më të vegjëlit’. E gjëja që i pëlqen më shumë, është pikërisht hapja
e kuvendeve të reja. Nuk ka kohë për të humbur duke i shkuar pas mbretit të Francës.
Por Luigji XI nuk është nga ata që heqin dorë nga e tyrja. Atë që dëshiron, do
ta shtjerë në dorë pa tjetër. Pas përgjigjes së prerë të Françeskut, i drejtohet vetë
papës, duke i kërkuar ta bindë fratin. Kështu, për të bërë dëgjesën, Françesku shkon
te Luigji XI. Në fillim mbreti zhgënjehet keqas: Françesku nuk pranon ta bëjë mrekullinë
e pritur, dmth ta shërojë. Po Frati i bën një dhuratë shumë më të madhe. Në vend që
të kryejë një gjest të mbinatyrshëm, e ndihmon mbretin ta pranojë vdekjen e ta përballojë,
duke e lëshuar veten në dorën e Zotit. Kështu, më 1483, Luigji XI i afrohet vdekjes
pa ankth. Françesku i ka dhënë paqen e dëshiruar. Pas vdekjes së mbretit, në vend
që të rikthehet në vendlindje, Vetmitari i madh vendoset përfundimisht në Francë,
sepse edhe atje ka shumë për të bërë. E kalon kohën që i mbetet për të jetuar duke
themeluar kuvende të fretëve minimi në të gjitha trojet franceze. E kështu lidhet
ngushtë me këtë vend, me të cilin nuk kishte të bënte fare!