2008-05-24 18:42:58

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(25.05.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit.
U përkujtuan edhe Shën Gregori VII papë, Shën Beda i nderuar, meshtar benediktin, dijetar i Kishës dhe Shën Maria Madalena de Paci, virgjër.

Figura e djaloshit të pasur, që e takojmë përsëri në liturgjinë e së hënës, i shtyu në shekuj shumë njerëz të ndërrojnë rrugë e të ecin me gjithë zemër pas Krishtit. Sytë e Zotit na ndjekin në çdo hap. Na kërkojnë të dalim nga kurthi i egoizmit e të pushtojmë horizontin e pamasë të dashurisë së tij. Këtë na kujtojnë Shën Filip Neri, meshtar, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit, Shën Eleuteri papë dhe Shën Dimetri, martirë në ditën e festës së tyre.

Të braktisësh çdo gjë! Këtë rrugë zgjodhën apostujt për të ndjekur Krishtin. Duhet kujtuar, veç, se atij që ecën në këtë rrugë, Zoti nuk harron kurrë t’i japë çmimin e amshuar. Për këtë meditim na fton, të martën, festa e Shën Agostinit, kryeipeshkëv i Kanterbërit.

Shën Gjermani, ipeshkëv i Parisit dhe Shën Vili, që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë çastin kur Jezusi u flet të Dymbëdhjetëve për mundimet e tij. Por ata nuk arrijnë ta kuptojnë mesazhin, që ua beson Mësuesi. Vetëm ai që bëhet shërbëtor i të gjithëve, mund të ushtrojë shërbimin e jashtëzakomshëm të prijësit të grigjës së Zotit.

Të enjten do të kremtohet Shën Ursula Ledohovska, themeluese e Orsolineve të Zemrës së Krishtit. Në liturgjinë e festës takohemi me Bartimeun që kishte lindur i verbër. Duke e shëruar, Krishti na kujton se njeriu që jeton me fe të gjallë, mund ta ndjejë forcën e saj shëruese si në shpirt, ashtu edhe në trup.

“Përpiqu të duash, ashtu si do Jezusi, zemërbutë e i përvujtë”: ky mesazh buron nga solemniteti i Zemrës së Shenjtnueshme të Jezu Krishtit, që do të kremtohet të premten.

Të shtunën është festa e Zemrës së Zojës dhe e Pasisë të së Lumes Mari Virgjër. Zoja e Bekuar shkon të vizitojë Elizabetën. Nuk shkon për të kaluar kohën. Bën një udhëtim të vërtetë apostolik, gjatë të cilit kumton Fjalën që i tha Engjëlli dhe këndon mrekullitë e Zotit në jetën e saj.
Është dita e fundit e majit, kushtuar Zojës së Bekuar, që kremtohet në të gjitha Kishat katolike të botës.

Të dielën e ardhshme Kisha rifillon Liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën IX të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.