2008-05-24 18:42:02

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(24.05.2008 RV)24 maj: Shpikja e shtypshkrimit dhe fillimi i botimit të librave të krishterë me shumicë.
Françesku, çiraku i tipografit, arrin në tregtore, për të filluar ditën e parë të punës. Në këmbë, pranë mjeshtrit që do t’i mësojë zanatin, e shikon kur punon, si të ishte ndonjë magjistar. Në këtë kohë, aty nga vitit 1470, shtypshkrimi në Paris është një teknikë krejt e re, ndonëse Gutembergu e shpiku që më 1436, në Gjermani, këtë mjet, që revolucionarizoi kulturën.
Françesku e di se tipografi prodhon dhjetra libra sa çelë e mbyllë sytë, e megjithatë i duket diçka gati e pamundur.
Tipografi merr letrat prej metali nga një arkëz me të ndara dhe i radhit shkathtësisht njëra-pranë-tjetrës mbi një pllakë, për të formuar frazat. Pllaka është aq e madhe, sa mbi të shtrihen faqe të tëra të një libri. E ja edhe çasti magjik... Françesku mban frymën: mjeshtri merr bojën dhe e përhapë mbi gërmat. Pastaj vë sipër kartën. E ja që bëhet mrekullia: para syve të tyre dalin një sërë faqesh të shtypura. Mjeshtri merr një fletë tjetër, një tjetër akoma e edhe një tjetër. Kështu për pesëqind herë, sepse libri duhet shtypur në pesëqind kopje.
Françesku e shikon gjysëm i mahnitur e gjysëm i zhgënjyer. Sigurisht që puna kryhet një mijë herë më shpejt, sesa kur libri kopjohet me dorë, siç bëhej më parë, gjë që kërkonte muaj e muaj vetëm për një kopje. Por rezultati nuk është aq i bukur, sa ai i librit të kopjuar me dorë! Nganjëherë boja hapet pak e… ka edhe më…. Çiraku njofton mjeshtrin. “Djalosh, ndoshta vërtetë libri nuk është aq i bukur, por sigurisht ka më pak gabime se ato që gjinden në dorëshkrimet e rikopjuara nga një murg i çkujdesur, ose i lodhur. E pastaj shtohet edhe numri i lexuesve!”.
Po Françeskun e tremb edhe nga sasia e librave, që prodhohen. Nuk është edhe aq i bindur se tipografi do t’i shesë të gjitha kopjet e grumbulluara në tregtore. Mjeshtri qesh. “Françesk, mjaftojnë vetëm tri ditë, për t’i shitur të gjithë. Librat shiten si buka, si simitet e vala, që sapo kanë dalë nga furra e një bukëpjekësi të mirë. Kushtojnë tepër pak, në krahasim me dorëshkrimet e kopjuara me pupël: të gjithë parizianët, që dinë të lexojnë, vrapojnë për t’i blerë. Duhet pranuar se ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, na ndihmojnë shumë. Kisha është klienti ynë më i rëndësishëm, sepse ka më shumë njerëz të mësuar, që dëshirojnë t’i pasurojnë bibliotekat e tyre. Pa Kishën, sigurisht që shtypshkrimi nuk do ta kishte gjithë këtë sukses. Në se nuk do të ishte Kisha, Françesku im i dashur, tani do të ishte duke mësuar zanatin në dyqanin e ndonjë kasapi, ose të ndonjë këpucari.







All the contents on this site are copyrighted ©.