Përshëndetja drejtuar Atit të Shenjtë nga kryeipeshkvi, imzot Rrok Mirdita gjatë audiencës
së Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë me rastin e vizitës ad Limina (tekst i plotë)
Atë i Shenjtë, takimi ynë i sotëm me Ju, është rast që na gëzon pa masë
të gjithëve. Në të vërtetë vizita jonë ad Limina ka një domethënie tepër të veçantë
për ne të gjithë, për tri arsye kryesore: së pari, sepse ky është takimi i parë me
Ju si episkopat shqiptar. Së dyti, sepse pas shembjes së komunizmit dhe rindërtimit
të hjerarkisë në Shqipëri, kjo është vizita e parë ad Limina, në të cilën është i
pranishëm i gjithë episkopati shqiptar. E, së fundi, sepse këtë vit përkujtojmë pesëmbëdhjetë
vjetorin e vizitës në Shqipëri të Paraardhësit tuaj, Shërbëtorit të Zotit, Papës Gjon
Pali II, që me këtë rast shuguroi katër ipeshkvij, ndërmjet të cilëve isha edhe unë. Gjatë
këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve, Kisha katolike në Shqipëri ka ecur shumë përpara në
veprimtarinë për të ungillëzuar, për të shenjtëruar e për t’i udhëhequr besimtarët
në trojet tona. Kisha katolike në Shqipëri provoi një Kalvar të vërtetë. Toka shqiptare
u vadit me gjakun e shumë dëshmitarëve të guximshëm të fesë gjatë regjimit që, sipas
shprehjes së një historiografi, ‘deshi ta vriste Zotin’. Por ne patëm fatin ta shikojmë
me sytë tanë atë mrekulli, që Tertuliani e shprehu në thënien e famshme e të pavdekshme:
Sanguis martyrum est semen Christianorum”. (Gjaku i martirëve është fara
e të krishterëve të rinj). E sot i jemi mirënjohës Zotit për procesin kanonik
të lumnimit të martirëve shqiptarë, proces që nisi zyrtarisht më 10 nëntor 2002. Shenjtëri,
ndërsa Ju siguroj për besnikërinë tonë ndaj Pasardhësit të Pjetrit, të cilit i takon
misioni për të përforcuar vëllezërit në fe (Le 22, 323), në emër të sivëllezërve
të mi ipeshkvij, dëshiroj t’ju shpreh edhe mirënjohjen tonë. Ju falënderojmë Shenjtëri,
për Enciklikën tuaj të parë ‘Deus Caritas est’. Shqipëria paskomunsite e preku
me dorë bamirësinë e Kishës katolike, që dha një ndihmesë të shquar në situatat e
ndryshme të emergjencës. Kjo Enciklikë na nxiti të reflektojmë thellë për kuptimin
e bamirësisë së krishterë, e cila nuk është thjeshtë filantropi. Ju falënderojmë,
Shenjtëri, për Enciklikën tuaj të re, Spe salvi. Shqipëria ishte e indoktrinuar
nga ideologjia marksiste-leniniste, që nuk krijoi shpresë, por dëshpërim. Sot Shqipëria
po kërkon një rrugë tjetër, rrugë shprese për të gjithë, që nuk e shkëput njeriun
nga impenjimi për ndërtimin e qytetit tokësor dhe të një bote më të denjë për të. E,
së fundi, ju falënderojmë Shenjtëri, për nismën Tuaj lidhur me Vitin kushtuar Shën
Palit Apostull. Në Letrën drejtuar Romakëve, Apostulli i madh i popujve tregon se
ka folur për Krishtin deri në kufijtë e Ilirisë (15, 19), dmth, deri në trojet e Shqipërisë
së sotme. Prandaj Shën Pali lidhet në mënyrë të veçantë me popullin shqiptar e ju
jemi posaçërisht mirënjohës, Juve, Atë i Shenjtë, sepse i krijuat popullit tonë mundësitë
për ta njohur nga afër personalitetin, shenjtërinë dhe doktrinën e këtij apostulli
i cili, sipas fjalëve të Akuinit “e kishte gjithnjë emrin e Krishtit në korpin e
vet, në gjuhën e vet e në shkrimet e veta” (Prologo del Commentarium in Litteram
ad Romanos) 1. I jemi tepër mirënjohës Zotit, që na ka dhënë kënaqësi
të mëdha. Jemi mirënjohës, në radhë të parë, për misionarët që, me flijime të mëdha
e bujari të madhe, pranuan sfidën misionare në Shqipëri, gjatë këtyre tetëmbëdhjetë
vjetëve pas rënies së komunizmit. E, mbi të gjitha, i shprehim mirënjohjen tonë të
pakufishme Zotit, që na i bekoi përpjekjet me thirrje të reja meshtarake e rregulltare
në vendin tonë. Ndësa kërkojmë bekimin tuaj, Ju sigurojmë se lutemi që Hyji
t’ju japë shëndet, urti e shenjtëri për të vijuar shërbimin tuaj si pasardhës i Shën
Pjetrit. ____ 1Prolog i Komentit të Letrës drejtuar Romakëve.