Ndal përdorimit të fëmijëve ushtarë, rreth 250 mijë në të gjithë botën
(22.05.2008 RV)Vlerësimet flasin
për 250 mijë fëmijë ushtarë në botë, por mund të jenë edhe më shumë. Bilanci i bërë
nga një grup organizatash jo qeveritare tregon një përmirësim të lehtë të situatës
për shkak të përfundimit të disa konflikteve, por alarmi mbetet. Në të paktën 24 vende
të botës, denoncojnë organizatat, fëmijët përdoren për luftë e jo vetëm nga guerriljet,
por edhe nga ushtria e rregullt. Veçanërisht dramatike është situata e vajzave të
rrëmbyera dhe të përdorura si në linjën e parë të frontit ashtu edhe në prapavija,
shpesh të shfrytëzuara seksualisht. Na përshkruan gjendjen Foska Nomis, zëdhënëse
e koalicionit italian “Ndal përdorimit të fëmijëve ushtarë”: Që kur kemi bërë
të ditur raportin global mbi fëmijët ushtarë, katër vjet më parë, janë bërë sigurisht
hapa përpara. Është rritur numri i vendeve që kanë ratifikuar Protokollin opcional,
i cili pengon përdorimin e të miturve nën 18 vjeç si ushtarë. 120 vende e kanë ratifikuar
këtë Protokoll dhe ata përbëjnë rreth tre të katërtat e botës. Si mund të
integrohen në shoqëri fëmijët që kanë qenë ushtarë? Cila është puna e bërë në këtë
drejtim? Programet “Çarmatim, çmobilizim, reintegrim” janë themelore, sepse
kanë krijuar një urë ndërmjet jetës në ushtri e në grupet e armatosura dhe jetës së
re, të themi “normale”. Fatkeqësisht, këto programe nuk financohen aq sa duhet nga
bashkësia ndërkombëtare e sidomos, kanë nevojë për kohë. U lejojnë edhe vajzave të
vogla të ndryshojnë jetë. 40% e fëmijëve ushtarë janë vajza e shpesh kanë vështirësi
më të mëdha për të marrë pjesë në këto programe, pasi nuk konsiderohen si ushtare,
por si shoqet e jetës, gratë e luftëtarëve të një grupi. Cilat janë zonat
e konfliktit që paraqesin një gjendje më të vështirë përsa i përket fëmijëve ushtarë? Sigurisht
na shqetësojnë shumë konfliktet në vazhdim në vendet afrikane, në veçanti në Ugandë;
pavarësisht se ka filluar procesi i paqes, fëmijët ushtarë janë të pranishëm edhe
në Republikën Qendroafrikane, në Çad, në Sudan, por edhe në kontinente të tjera: në
Kolumbi, në Amerikën e Jugut ku konflikti është i brendshëm. Ka shumë fëmijë ushtarë
në grupin kolumbian Fark ose edhe më tej, në Azi, në Sri Lankë për shembull. Azia
është një zonë ku fëmijët ushtarë janë me moshë të vogël, 12 vjeç, si në Birmani.