2008-05-23 17:45:08

Benedikti XVI: Fjalimi drejtuar Ipeshkvijve të Shqipërisë në vizitë ad Limina (tekst i plotë).


(23.05.2008 RV)Të nderuar e të dashur Vëllezër,
me gëzim të madh ju pres të gjithë së bashku, ndërsa jeni duke kryer shtegtimin tuaj ad Limina. Ky është rast i përshtatshëm që Pasardhësi i Shën Pjetrit t’i njohë nga afër vështirësitë që duhet të përballoni në tokën e dashur të Shqipërisë. Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj që më folët me zemër të hapur për realitetin e ndërlikuar të Kishës në Shqipëri, ngarkuar me vështirësi, por jo më pak edhe me shpresa. Ju shpreh mirënjohjen time posaçërisht për fjalët që më drejtoi Kryetari i Konferencës suaj Ipeshkvnore në emër të të gjithëve, duke më shprehur kështu ndjenjat tuaja. Ju falënderoj, të dashur Sivëllezër në Ipeshkvni! E mirë se erdhët!?
E njohim të gjithë tashmë trashëgiminë e trishtuar që i la Shqipërisë regjimi i kaluar diktatorial, i cili e pati shpallur ateizmim si ideologji të Shtetit. Është e qartë se një orientim i tillë antidemokratik i marrëdhënive ndërmjet qytetarëve, ju la trashëgim vështirësi jo të pakta në planin njerëzor e ju ngarkon me detyrën për të zbuluar një gramatikë të përbashkët, që mund ta mbështesë përsëri ndërtesën e shoqërisë. Por ju, pasardhës të Apostujve, jeni të thirrur të jeni, mbi të gjitha, dëshmitarë të një trashëgimie tjetër, mirëbërëse e ndërtimtare: asaj të mesazhit të shëlbimit që solli Krishti në botë. Në këtë kuptim, pas natës së errët të diktaturës komuniste, e cila nuk qe e aftë ta kuptonte popullin shqiptar e traditat e tij stërgjyshore, Kisha mundi të rilindë për virtyt të Provanisë hyjnore, falë edhe forcës apostolike të Paraardhësit tim të nderuar, Shërbëtorit të Hyjit, Gjon Palit II, që erdhi mes jush për vizitë në vitin 1993, duke rindërtuar hjerarkinë e qëndrueshme katolike, për të mirën e besimtarëve dhe për dobinë e popullit shqiptar.
Një nga aktet e para të Papës së madh, qe njohja e heronjve të fesë: kujtoj këtu, posaçërisht, dëshminë e shkëlqyer të kardinalit Koliqi, korife i një grupi të madh martirësh. Rikrijimi i Hjerakisë katolike ishte njëkohësisht edhe njohje e lidhjes së ngushtë të popullit tuaj me Krishtin si dhe ndihmesë për t’u krijuar hapësirën e duhur forcave të reja të katolicizmit në trojet e Shqipërisë. Ju jeni rojtarë të kësaj lidhjeje, e ju takon posaçërisht juve detyra ta promovoni në veprimtaritë tuaja e në nismat tuaja, këtë unitet, që duhet të shprehë misterin themelor e jetëdhënës të Korpit të Krishtit, në bashkim me shërbimin e Pasardhësit të Pjetrit. Në këtë perspektivë, nuk mund të mos shikojmë sa themelor është bashkëpunimi i ngushtë i ipeshkvijve, pikërisht për t’u bërë ballë me sukses problemeve dhe vështirësive të Kishës në Shqipëri. Si mund të mendohet që njëra dioqezë do të mund ta zhvillojë me sukses veprimtarinë e saj, në se nuk e ka parasysh edhe mendimin e Ipeshkvijve të tjerë, bashkëpunimi me të cilët është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur si duhet shpresave të një populli të vetëm, të cilit i drejtohet Kisha?
Vetëm bashkëpunimi i përzemërt e vëllazëror ndërmjet Barinjve, mund t’i sjellë dobi të madhe popullit të dashur shqiptar, si në planin shoqëror, ashtu edhe në atë ekumenik e ndërfetar. Prandaj, të nderuar Sivëllezër, duhet të jeni një gjë e vetme në Krishtin në shpalljen e Ungjillit e në kremtimin e Mistereve hyjnore; shpreheni bashkimin me Kishën universale me vëllazërim të thellë e të vërtetë ipeshkvnor. Do të ishte e pakonceptueshme nisma e një Bariu i cili, në përpjekjen për të përballuar situata konkrete, nuk do të shqetësohej për ta koordinuar veprimtarinë personale me atë të Sivëllezërve Ipeshkvij. Ka çështje të veçanta, që lidhen me probleme të veçanta, të cilat duhen zgjidhur me ndihmesën e të gjithëve e me një frymë dashurie e durimi baritor. Ju porosis të gjithëve të punoni me maturi ungjillore, me dashuri të vërtetë të krishterë, duke kujtuar se kanunet kishtare janë mjete që shërbejnë për të promovuar në mënyrë të rregullt bashkimin në Krishtin dhe veprimtarinë për të mirën e grigjës së Shëlbuesit. Kjo ka të bëjë edhe me veprimtaritë ungjillëzuese e katekistike dhe gjen shprehjen e vet edhe në veprimtarinë shoqërore. Kam parasysh sidomos fushën e shëndetësisë, të arsimit, të përpjekjes për t’i paqëtuar shpirtërat dhe për gjithçka nxit bashkëpunimin ndërmjet përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërisë e të traditave përkatëse fetare.
Fenomeni i emigracionit, si brenda, ashtu edhe jashë vendit, ju krijon probleme të vështira baritore, që duhen përballuar me zemër Ipeshkvi, jo vetëm për besimtarët që jetojnë në trojet tuaja, por edhe për ata të diasporës. Kjo kërkon nga ju bashkëpunimin me Sivëllezërit në vendet e tjera, që të mundni kështu, të jepni ndihmesën baritore të nevojshme e urgjente. I njoh vështirësitë, që kanë të bëjnë me mungesën e klerit. Jam në dijeni edhe se shumë meshtarë, ndonëse punojnë në kushte të vështira, i ndihmojnë pa kursim besimtarët katolikë me origjinë shqiptare në dhe të huaj. Kjo ju nderon, të dashur Sivëllezër, që tregoni kujdes, sipas zemrës së Krishtit, për jetën shpirtërore të njerëzve tuaj edhe jashtë kufijve të Atdheut. E kjo nderon edhe meshtarët, që ndajnë me ju shqetësimet baritore.
Ka edhe shumë probleme të natyrës praktike, për të cilat duhet të ndihmojnë edhe instancat civile, përmes propozimeve, që nuk kanë të bëjnë vetëm me shqetësime të natyrës politike, por edhe me situata konkrete shoqërore. Në këndvështrimin katolik, si në Atdhe, ashtu edhe në rrethanat e mërgimit, është e nevojshme t’i ndiqni me vëmendje njerëzit tuaj në mënyrë që, duke ua ruajtur identitetin e veçantë, të mos lihet pas dore edhe përfshirja e tyre në gjirin e shoqërisë ku jetojnë. Në këtë këndvështrim, është e nevojshme që, posaçërisht meshtarët e caktuar për kujdesin baritor të emigrantëve, të mos harrojnë se të gjithë u përkasin Korpit të vetëm të Krishtit, që është i njëjtë në të katër anët e tokës. Të shprehesh kështu, të nderuar vëllezër, do të thotë të pohosh se duhen ndjekur me kujdes të madh të gjithë ata, të cilët Zoti i thërret të ecin pas Tij. Prandaj theksoj se problemi i thirrjeve për rrugën e meshtarisë, duhet të jetë gjithnjë shqetësimi juaj kryesor: nga kjo varet ardhmëria e Kishës.
Dëshiroj, së fundi, t’ju shpreh kënaqësinë për marrëveshjet e nënshkruara pak kohë më parë me autoritetet e Republikës: besoj se këto masa do të ndihmojnë për rindërtimin shpirtëror të vendit, duke pasur parasysh rolin pozitiv që luan Kisha në shoqëri. Nga ana ime, ju jap zemër të vijoni shërbimin tuaj, për të realizuar programet që keni hartuar së bashku. Ndërsa ia besoj mbrojtjen tuaj ndërmjetësimit qiellor të Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ju jap, me kënaqësi, juve, priftërinjve e rregulltarëve, rregulltareve dhe të gjithë besimtarëve që i janë besuar kujdesit tuaj baritor, një Bekim të posaçëm Apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.