2008-05-22 18:18:54

Papa në mesazhin për Ditën e 97-të katolike gjermane: “Të forcuar nga Ungjilli, merrni pjesë aktive në jetën shoqërore të vendit tuaj”.


(22.05.2007 RV)“Takimi me Hyjin të bën më të lirë, më të lumtur, më bujar”: këtë nënvizon Benedikti XVI në mesazhin drejtuar Ditës së 97-të të Katolikëve (Katholikentag) gjermanë, që u hap dje në qytetin e Osnabrykut, në veri të vendit. Në takimin masiv kishtar, që do të përfundojë të dielën, janë të pranishëm 50 mijë përfaqësues të të gjithë katolikëve gjermanë, të cilët Papa i porosit të marrin pjesë me guxim e bujari në jetën politike e shoqërore të vendit. Duke u nisur nga motoja kishtare e takimit: “Ti na prin në det të hapur”, Papa i ftoi besimtarët laikë të mos e lëshojnë të ardhmen në duart e të tjerëve, por ta marrin, me fantazi e aftësi, në duart e tyre, duke qenë të pranishëm në të gjitha diskutimet që kanë të bëjnë me të sotmen e me të ardhmen.
Benedikti XVI kujtoi edhe DBR-në e Këlnit 2005 dhe shprehu besimin e do t’i takojë në Sidnei, shumë nga të rinjtë e pranishëm në takimin e madh të Osnabrykut.
Papa shpjegoi se sot shumë njerëz kanë frikë nga feja. Mendojnë se mund ta kufizojë jetën e tyre. Ka edhe nga ata që besojnë se nuk mund të jenë më të lirë, po të respektojnë Urdhërimet e Tënzot e mësimet e Kishës. Atyre – thekson Ati i Shenjtë – duhet t’u dëshmojmë se vetëm atëherë kur jeta jonë lartohet deri në zemër të Zotit, mund të dalim në atë ‘det të hapur’, për të cilin jemi krijuar. Jeta pa Zotin nuk i jep njeriut më shumë liri e as më shumë hapësirë. Nuk duhet harruar se njeriu është krijuar për pafundësinë. Prandaj mund të themi se jeta bëhet shumë më e kufizuar, në se largohemi nga Zoti. Kush ka në zemër Zotin, nuk ka nevojë ta kërkojë lumturinë gjetiu e nuk i jep rëndësi opinionit të botës, sepse është tashmë i lirë e bujar, me zemrën gjithnjë të hapur për thirrjen e Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.