Historia e kremtimit të Solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit.
(22.05.2008 RV)Solemniteti i Korpit dhe Gjakut të Shenjtnueshëm të Krishtit,
i cili para Mesharit të sotëm njihej me emrin latinisht "Corpus Domini", filloi të
kremtohej që më 1264 kur, duke pranuar devocionet eukaristike të lindura në shekujt
XII e XIII, për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë së Krishtit në lëndët
e shuguruara, kjo festë u shtri në Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus. Qe
pikërisht ky papë i cili e kremtoi personalisht festën e parë të Korpit të Krishtit
në Orvieto (Itali), në verën e të njëjtit vit, me solemnitet të madh. Në këtë kohë
ndodhi edhe mrekullia e Bolsenës në Lazio, ku një meshtar bohem, Pjetri nga Praga,
i cili kishte dyshime mbi praninë reale të Krishtit në Eukaristi, ndërsa kremtonte
Meshën, pa sesi nga hostja e shuguruar nisi të pikonte gjak. I njoftuar për faktin
e mrekullueshëm, Urbani IV ngarkoi ipeshkvin e Orvietos t'ia sillte linin shenjt të
përgjakur dhe shkoi personalisht ta merrte këtë dëshmi kaq tronditëse të pranisë së
Krishtit. Në Romë kremtimi filloi që nga njëmijë e katërqinda, në kohën e papës
Nikolla V, me Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe procesionin drejt
Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, që përshkohet nëpër rrugën Merulana qysh nga viti
i largët 1575. Që prej tre shekujsh, papët e ndryshëm që janë ulur në fronin e shën
Pjetrit, kanë vijuar, me pak ndërprerje, të ndjekin të njëjtën rrugë, duke mbledhur
miliona besimtarë rreth Eukaristisë, burim i bashkimit e ushqim kryesor për jetën
e të pagëzuarëve. Secili besimtar ftohet në këtë solemnitet të ulet rreth sofrës eukaristike,
ku ka vend për të gjithë, e të shijojë më mirë Praninë e Krishtit, që kremtohet çdo
ditë e çdo vit.